Ish-kryeministri Sali Berisha i ka uruar shërim sa më të shpejt Fatos Nanos, i cili prej 9 ditësh ndodhet në spital.
Berisha tha se uron që Nano të shërohet e të kthehet pranë familjes sa më shpejt.
“Me gjithë sinqeritetin dhe me gjithë zemër i uroj shërim të shpejtë dhe të plotë. Ta kalojë këtë situatë jo të lehtë dhe të rikthehet në familjen e tij. Nuk dua të shkoj më tej se po të shkoj më tej do të dënoja me ashpërsinë më të madhe fasadën e jagos se në qoftë se kishte një Jago, Edi Rama ishte Jago i Fatos Nanos dhe të të qajë Jagoja Zoti është i madh, nuk kam ç’të them tjetër. Çfarë mirënjohjeje, vetëm mirënjohje mbi tokë nuk ekziston për të. Nuk ka moment fatkeqësie që Edi Rama të mos e përdorë për qëllime të veta. Kur përdor dhe të tjera. Ai përbën një Jago dhe e ka të qartë çdo socialist shqiptar që e ka integritetin të mbetet socialist dhe të mos shndërrohet në rilindës. Rilindësit janë sekt”, deklaroi Berisha.
Jagoja ishte një personazh intrigant te Otello i Shekspirit. Ai përshkruhet si një njeri i lig dhe shpirtzi, një djall në formë njeriu, ziliqar dhe xheloz.