Familja mbretërore e Holandës është bërë sërish objekt debatit publik, pasi Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Maxima po kalojnë pothuajse të gjithë verën — plot tetë javë — në vilën e tyre luksoze në Kranidi, në rajonin e Peloponezit në Greqi.
Mungesa e tyre e gjatë nga vendi, në një periudhë kur Holanda përballet me sfida të ndryshme verore, ka shkaktuar reagime të ashpra nga mediat dhe opinioni publik, duke ringjallur kritika të kahershme për stilin e jetës së çiftit mbretëror.
Zgjedhja e familjes mbretërore për të kaluar verën në Greqi nuk është e re. Pas shitjes së shtëpisë së tyre në Mozambik në vitin 2012, çifti bleu një vilë në Kranidi, me një vlerë të raportuar prej 5 milionë euro. Prej asaj kohe, çdo udhëtim i tyre në Peloponez është shoqëruar me valë kritikash, për shkak të ndjeshmërisë që ngjall mënyra e jetesës së tyre, larg vendit.
Këtë vit nuk ka përjashtim. Mediat holandeze kanë karakterizuar qëndrimin e tyre si një “pushim luksoz”, duke e krahasuar me sjelljen e monarkëve të tjerë evropianë.
Monarkë të tjerë: Më afër popullit të tyre
Një artikull i fundit në një revistë holandeze vëren se shumica e anëtarëve të familjeve mbretërore evropiane po zgjedhin të qëndrojnë në vendin e tyre gjatë verës:
Mbreti Felipe dhe Mbretëresha Letizia e Spanjës po pushojnë në Majorka,
Mbreti Carl Gustaf dhe Mbretëresha Silvia e Suedisë në ishullin Åland,
Mbreti Harald dhe Mbretëresha Sonja e Norvegjisë në pallatin Oscarhall në Oslo,
Princi Albert i Monakos në rezidencën Roc Agel, vetëm 20 minuta larg pallatit mbretëror.
Artikulli përfundon me një pyetje kritike:
“A duhet që Mbreti Willem-Alexander dhe Mbretëresha Maxima të ndjekin shembullin e kolegëve të tyre dhe të kalojnë pushimet më afër shtëpisë?”
Ekspertja e çështjeve mbretërore, Justine Marcela, komentoi ashpër: “Ata mund të mësonin shumë nga anëtarët e tjerë të familjeve mbretërore. Holanda ka zona të mrekullueshme — Zeeland, Limburg, Terschelling. Por dyshoj se do ta bëjnë ndonjëherë. Për ta, prioriteti është anonimati dhe siguria. Ndoshta të tjerët qëndrojnë në vend sepse janë më pak… të sofistikuar.”
Ndërkohë, analisti mbretëror Jeroen Snell shtoi: “Do të kishte kuptim që të dërgonin një sinjal të tillë njerëzve. Ne jemi një vend i vogël me sfida të mëdha. Nuk duhen tetë javë pushime… Edhe një udhëtim tre-ditor me biçikletë këtu do të ishte simbolik dhe i mjaftueshëm.” Sipas një deklarate zyrtare, Mbreti është i disponueshëm 24 orë në ditë dhe, në rast të një krize kombëtare, do të rikthehet menjëherë në Hagë. Për momentin, paraqitja e tij e vetme publike e planifikuar është më 15 gusht, në ceremoninë për përkujtimin e dorëzimit të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.
“Ndjeshmëria” që rrethon “strehën greke” të familjes mbretërore nuk është e re. Në tetor 2020, në kulmin e pandemisë dhe ndalimeve të udhëtimit, çifti mbretëror udhëtoi për në Greqi, duke shkaktuar një valë zemërimi në publik. Presioni ishte aq i madh sa ata u kthyen menjëherë dhe kërkuan falje në një mesazh televiziv, duke e quajtur udhëtimin “shumë të papërshtatshëm”.
Vila e shumëpërfolur ndodhet pranë ishullit Spetses, ku në vitin 2010 u zhvillua dasma e Princit Nikolla të Greqisë me Tatiana Blatnik. Mendohet se gjatë kësaj kohe çifti holandez u dashurua me zonën dhe nisi kërkimet për pronën e tyre atje.
Me një sipërfaqe prej 4,000 metra katrorë dhe pamje mahnitëse nga Deti Egje, vila është bërë një simbol i luksit, privatësisë dhe izolimit. Javën e kaluar, vajza e madhe e çiftit, Princesha Amalia, u pa në zonë me miqtë e saj, duke nxitur spekulime për një qëndrim të zgjatur familjar në pronë.