Futbollistët e përfaqësueses shqiptare nuk i kanë përjetuar mirë ndeshjet e fundit që kanë parë në “Euro 2016” dhe janë të bindur se ka pasur akorde mes kombëtareve të ndryshme. Më qartësisht këtë ide e ka shprehur në një intervistë të gjatë për “Frankfurter Allgemeine Zeitung” mbrojtësi Mërgim Mavraj.
Z. Mavraj, ju dhe shokët tuaj shqiptarë keni luajtur ndeshjen e fundit në grup të dielën dhe si e treta e Grupit A keni qëndruar për tre ditë para televizorit duke shpresuar për raundin tjetër. A ishte kjo të paktën një eksperiencë e mirë në komunitet?
E gjithë kjo ishte paksa e çmendur. Sigurisht ishte gjithashtu edhe një eksperiencë e madhë për ne si skuadër, pasi ne jemi ulur gjithmonë pasdite për të parë ndeshjet së bashku. Për shembull, ne nuk e kemi ditur gjatë ndeshjes së Turqisë me Republikën Çeke se për kë të bënim tifo. Një barazim do të na ndihmonte, ose një fitore 1-0 e turqve. Çfarë të bënim kur të ishte 1-0 për Turqinë? Disa shpresonin që çekët të barazonin, të tjerët trembeshin që çekët pastaj do të shënonin edhe golin e fitores, i cili në vetvete do të ishte i keq për ne. Kemi sharë shumë dhe kemi mëkatuar verbalisht gjatë të gjithë ndeshjes. Më pas ishim të zhgënjyer. Në fund, turqit fituan 2-0, që ishte një rezultat i keq për Shqipërinë… Po, kjo është e trishtueshme. Unë për shembull, më pëlqen Turqia, jam rritur me shumë turq. Dhe unë sigurisht që do të dëshiroja që ata të kalonin në turin tjetër. Por më duhej të mendoja për veten dhe të shpresoja që në fund ata të pësonin gol. Është disi e çuditshme. Më duhej të merrja një vendim si sportist. Mënyra se si raundi tjetër ndërtohet nga katër të tretat më të mira të 6 grupeve krijon kryqëzime të ndryshme me kundërshtarë të ndryshëm.
A e kuptoni këtë sistem?
U desh të ma shpjegonin një herë pas ndeshjes me Rumaninë. Pastaj e kuptova se do të na duhej të dridheshim për tre ditë para televizorit. Ky nuk mund të jetë kuptimi i një turneu që të ketë ndryshime të tilla. Ne luajtëm kundër Francës dhe Zvicrës, ndërsa të tjerët përballë kundërshtarëve më të dobët. Të tjerët e dinin saktësisht se si duhej të luanin për të na kaluar, meqë ne kishim mbaruar. Ky është shtrembërim i aktivitetit. Turqit, nëse do të kishin luajtur bashkë me ne të dielën, ndoshta nuk do të kishin arritur asnjëherë në 2-0, por do të ishin munduar të mbanin fitoren 1-0. Por ata e dinin se duhej të shënonin gol. Është e njëjta gjë për Portugalinë, të cilës mund t’i shërbente një 0-0. Ashtu siç nuk është e drejtë që të luash në një turne dy ndeshje të dobëta dhe pastaj të bësh një ndeshje të mirë për të kaluar turin.
A nuk mallkuat edhe ju dëshpërimisht para televizorit, pasi gjermanët humbën aq shumë raste? Një 4-0 ndaj Irlandës së Veriut do të ndihmonte edhe ekipin tuaj…
Gjatë kësaj ndeshje ne po stërviteshim dhe e mësuam vetëm falë zëdhënësit për shtyp se Gjermania po dominonte. Që ata kishin pasur kaq shumë shanse, e kuptova vetëm në mënyrë indirekte. Kur e pashë më vonë në televizor, unë u mërzita.
A ju ka kërkuar falje për rastet e humbura Shkodran Mustafi, futbollisti i Gjermanisë me origjinë shqiptare?
Mua jo. Por ai nuk ka asnjë arsye pse. Ne e dimë se ai na ka uruar fat. Dhe djemtë bënë gjithçka që të shënonin shumë gola dhe ndoshta të na ndihmonin. Lëv vetëm mund ta fuste Shkodranin si sulmues. Ndoshta ashtu mund të na kishte dhënë një ndihmë më shumë. Nëse do të kishit kaluar, Gjermania mund të kishte qenë kundërshtari… Do të kishte qenë e shkëlqyer. Unë do t’i kisha kërkuar trajnerit të luaja në krahun e djathtë që të përballesha me shokun tim te Këln, Jonas Hektor.
A nuk e merrni më seriozisht këtë Europian?
Jo, jo, nëse do të na fusnin në aktivitet tani do të luanim me seriozitet. Gjithsesi, nuk mund ta luajmë me seriozitet të plotë, pas tre ditëve të kaluar mes drithërimave. Pas fitores së Turqisë, na kanë rënë bateritë. Ishim të gjithë të zhgënjyer pasi kjo ishte shpresa jonë e madhe.
A ju la trajneri pak më të qetë për shkak të këtyre përllogaritjeve?
Në ekipin tonë ishte një situatë shumë e veçantë. Gjithçka është bërë shumë njerëzore pasi askush nuk mund të tallej me situatën që kalonim. Trajneri ynë është italian dhe na ka stërvitur gjithmonë shumë taktikisht, i përqendruar te kundërshtari i radhës. Tani nuk ka më një kundërshtar apo ndeshje të radhës. Ai përsëri u mundua të mbante rutinën tonë ditore. Ndaj ne u stërvitëm gjithmonë në orën 18 .00 dhe humbëm ndeshjet në TV. Por shihet edhe me të që entuziazmi ka rënë.