Slloveni Slavko Vinçiç do të jetë arbitri që do të gjykojë finalen e parakohshme të këtij Europiani, Spanjë-Francë.
Dy gjigandët e futbollit të kontinentit të vjetër do të përballen me njëra tjetrën të martën e 9 korrikut në “Allianz Arena” të Mynihut, në orën 21:00.
UEFA i ka besuar drejtësinë e kësaj ndeshje të rëndësishme 44-vjeçarit të lindur në Maribor, i cili më parë ka qenë “bilbili” kryesor edhe në sfidat e grupeve, Spanjë-Itali dhe Hungari-Zvicër.
Kulmin e karrierës Vinçiç e arriti këtë sezon, teksa ishte arbitri kryesor i finales së Champions League, të luajtur mes Real Madrid dhe Borusia Dortmund në mitikun Ëembley.
Vinçiç është gjyqtar ndërkombëtar për FIFA-n që nga viti 2010 ndërsa shkoi në Europianin e 2021 si ndihmës shtesë në ekipin e Damir Skominës.
Që nga korriku 2021 ai ka qenë arbitri kryesor në 12 ndeshje të Champions League dhe 19 ndeshje të Europa League.
Më 30 maj 2020, Vinçiç u arrestua gabimisht si pjesë e një hetimi policor për një rrjet prostitucioni dhe droge në Bosnje dhe Hercegovinë, por shumë shpejt u lirua nga çdo akuzë.