Partizani, Skënderbeu, Tirana dhe Flamurtari janë klubet shqiptare që përfitojnë shpërblim nga UEFA për lojtarët e grumbulluar me Kombëtaren gjatë eliminatoreve dhe fazës finale të Kampionatit Europian “Francë 2016”.
Sipas raportit zyrtar të publikuar sot nga UEFA, katër klubet shqiptare përfitojnë gjithsej 332 928.91 euro. Të kuqtë nga kryeqyteti do të arkëtojnë 129 103.75 euro, diçka më tepër se korçarët (119 945.55 euro). Tirana do të fusë në xhep 46 122.96 euro, kurse fitimi i klubit vlonjat është 37 756.65 euro.
641 klube nga 54 federatat anëtare të UEFA-s përfituan një fond prej 150 milionë eurosh, 100 për fazën finale në Francë dhe 50 milionë për kualifikueset.
Ky buxhet ishte 50 milionë euro më i madh se ai i Europianit 2012, ndërsa për “EURO 2020-n shuma në dispozicion të klubeve do të rritet në 200 milionë euro./panoramasport