Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, foli në konferencë për shtyp, në prag të sfidës me Ukrainën, në Ligën e Kombeve. Referuar problemeve me dëmtimet, tekniku kuqezi, deklaroi se është një moment delikat.
Silvinjo vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, duke thënë se Shqipëria është në një grup të vështirë.
“Është një moment delikat. Lojtarët pas Europianit nuk kishin mundësi për shumë pushime. Duhet të punojmë me këtë situatë. Edhe në Varshavë kishim një situatë të ngjashme. Është një mundësi e mirë që lojtarë të tjerë të jenë pjesë e formacionit.
Të gjithë lojtarët janë gati. Ne sot kemi një stërvitje. Nuk ka nisur ende Arbër Hoxha ndonjë ndeshje nga minuta e parë, por e kemi ndjekur nga marsi. Aty nisi udhëtimi i tij në Kombëtare. Është shumë i rëndësishëm për ekipin, por të shohim.
Është një grup i vështirë ky në Ligën e Kombeve. Të katërta ekipet kanë qenë në Europian. Trajneri i Ukrainës është shumë i zoti, e organizon shumë mirë skuadrën. Ne duhet të përballemi me të gjitha situatat. Ne i ndjekim lojtarët tanë. Ka qenë një moment i vështirë, pasi pas Europianit, ka pasur pak pushime dhe lojtarët kishin presionin e merkatos. Jemi të lumtur për lëvizjet e lojtarëve në merkato”, deklaroi Silvinjo.