Në emisionin “Opinion”, Analisti Berat Buzhala ka deklaruar se ka vizituar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin në paraburgimin e Hagës, ku mbahet në kuadër të hetimeve nga Gjykata Speciale.
Buzhala tha se Thaçi ndodhet në një gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe është në formë të shkëlqyer fizike.
“Jam në Düsseldorf, isha në Hagë dhe tani jam në Gjermani. Është hera e pestë që e vizitoj Hashim Thaçin. Tani vizitat i ka të kushtëzuara. Ishte në gjendje të mirë. Më tregoi se kur i bëjnë analizat, organizmin e ka 13 vite më të ri se mosha e tij. Ai nuk pi alkool, nuk pi as duhan”, u shpreh analisti.
Analisti ka patur kritika edhe për hetimet që po kryhen nga Gjykata Speciale e Hagës ndaj Thaçit, ish-drejtues i UÇK-së.
“Nuk ka fakt që ngarkon me përgjegjësi Thaçin dhe të tjerët. Ka dështuar Prokuroria. Ka qenë situatë e një lufte guerrile, nuk ka pasur organizim të mirëfilltë”, shtoi ai gjatë intervistës në “Opinion”.
Ai kritikoi edhe qëndrimin e autoriteteve në Kosovë, duke përmendur konkretisht kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
“Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë sulmuar drejtësinë në Kosovë dhe nuk kanë folur për Gjykatën Speciale”, tha Buzhala.
U ndal edhe tek protesta që pritet të zhvillohet në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se pret që të jetë një tubim masiv.
“Besoj se protesta në Tiranë për komandantët e UÇK-së do të jetë masive”, deklaroi ai.