Erion Veliaj ka mbërritur në Gjykatën Kushtetuese. Veliaj do të lejë për disa orë paraburgimin në Durrës për të marrë pjesë në seancën e Gjykatës Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimimi i tij kundër qeverisë, e cila e shkarkoi nga posti i drejtimit të Bashkisë së Tiranës.
Seanca pritet të nisë në orën 10:00 dhe relatore e çështjes është gjyqtarja Sonila Bejtja. Veliaj kishte shprehur vullnetin për të qenë i pranishëm në këtë seanca dhe për këtë arsye Gjykata kërkoi nga Drejtoria e Burgjeve dhe SPAK që të merrnin masa për shoqërimin e tij.

Këshilli i Ministrave e shkarkoi Veliajn më 25 shtator me argumentin se nuk është paraqitur prej 3 muajsh në detyrë. Më 1 tetor, presidenti Bajram Begaj dekretoi zgjedhjet e pjesshme në Tiranë, por dekreti u pezullua me vendim të ndërmjetëm nga Gjykata Kushtetuese.
Erion Veliaj mbahet nën masën e arrestit me burg prej datës 10 shkurt. Bashkë me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndojnë 5 akuza për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash, mosdeklarim pasurie si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.
 
	    	 
		    

















