Nga Gjirokastra në Korçë
Historia e tij nis në dhjetëvjeçarin e dytë të shekullit XX. Djalë i një familjeje modeste gjirokastrite, ai besohet se ka lindur më 16 tetor 1908 në lagjen Palorto, në familjen e Halil dhe Gjyle Hoxhës. Pavarësisht se në vitet e komunizmit 16 tetori ishte festa e ditëlindjes së tij, pavarësisht se ajo festohej në vend dhe nga Hoxha vetë, kërkimet dokumentare për të janë të rrëmujshme. Në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë, për Enver Hoxhën, janë shënuar 5 ditëlindje të ndryshme. Regjistri i bashkisë Gjirokastrës, nr. 6, fleta 75 shënimet për lagjen “Teqe-Meçite-Hazmurat”, shënon se Enver Hoxha, ka lindur më 12 maj 1908. Shënimi sqaron se prindërit e tij janë Halil (babai) dhe Gjylo (nëna)”. Në Liceun e Korçës, Hoxhës i janë shënuar dy ditëlindje: 17 qershor dhe 3 tetor (vitet 1929 e 1930). Në Francë, figuron me ditëlindje 3 tetor ndërsa gazeta Bashkimi 1946 vendoste si ditëlindje 3 shtatorin. 16 Tetori, ditëlindja që ai festonte vetë u bë publike në gazetën Bashkimi më 16 tetor 1947. Por këto të dhëna s’kanë luajtur ndonjë rol në biografinë e tij. Janë me gjasë produkt i kaosit që shoqëronte Shqipërinë në atë kohë.
Enver Hoxha e kaloi fëmijërinë dhe adoleshencën e tij në dy qytete skajore të Shqipërisë, në Gjirokastër dhe në Korçë. Për shumë vite me radhë, në kulmin e pushtetit të tij dhe sidomos gjatë viteve të fundit të jetës, ai u mundua të krijonte për veten imazhin e një njeriu që vinte nga një familje e madhe, familje me ndikim, nga një lloj parie e qytetit të gurtë. Kjo duket edhe më absurde po të mendosh se komunizmi mburrej për thjeshtësinë e origjinës, për lidhjet me popullin e thjeshtë, me klasën punëtore, me fshatarësinë, si dhe për luftën kundër çdo “mbeturine të aristokracisë”. Mirëpo Hoxha dukej se nuk e vuante më këtë, edhe pse ideja për të krijuar imazhin e një familjeje me ndikim nuk pati asnjëherë sukses. Shtëpia dikur modeste, e djegur në vitin 1914 dhe e pandërtuar më kurrë, u rindërtua si një saraj i madh në fillim të viteve ’60, me stil osman, athua se për t’i dhënë atij rangun e munguar shoqëror.
Ismail Kadare, shkrimtari më i madh shqiptar i kohëve moderne, i lindur edhe ai në Gjirokastër, në anën tjetër të rrugës ku ngrihej shtëpia e Hoxhës dhe që mbante një emër kërshëror, “Sokaku i të marrëve”, dëshmon se familja dhe shtëpia e shefit komunist nuk hynin në rangun e familjeve të vjetra dhe me ndikim. Kjo edhe për arsye të një tradite paragjykuese gati-gati mesjetare, që Gjirokastra kishte krijuar prej shekujsh. Në një intervistë të vitit 2003, duke iu referuar kujtimeve të familjes së tij për atë të Hoxhës, Kadare vëren:
“Shtëpia e Enver Hoxhës ka qenë një shtëpi relativisht e re, vetë mbiemri Hoxha tregon familje të ardhur vonë, një familje të re pa një mbiemër tradicional. Në Gjirokastër kishte familje të vjetra që nuk e ndërronin mbiemrin gjatë shekujve. Mbiemri ishte baza e njohjes. Në shtëpinë tonë ose të fqinjëve tanë të vjetër të lagjes kishte njëfarë “mosvënie re” të shtëpive më të reja dhe këtu hynin edhe këta të Hoxhës”. (1)
Mund të jetë sa për këtë arsye inferioriteti, aq edhe për arsye më ë vështira për t’u shpjeguar, që në kujtimet e tij Enver Hoxha foli shumë pak për babanë e tij, Halilin, dhe shumë më tepër për xhaxhain, Hysenin. Hysen Hoxha ose “Baba Çeni”, siç e quan në kujtimet e veta, ishte personazh me njëfarë rangu në qytetin e vogël, por të fisëm. Kishte qenë zgjedhur anëtar i delegacionit të qytetit për në Kuvendin që shpalli pavarësinë e Shqipërisë në Vlorë më 1912, por kishte mbërritur atje me shumë vonesë. Vonesa dhe mospjesëmarrja në Kuvend në ditën e shpalljes së Pavarësisë nuk e pengoi një film të vitit 1982, “Nëntori i Dytë”, që Hysen Hoxhën ta paraqiste si njeriun që takoi Ismail Qemalin kur ky sa po hynte në Vlorë… Tip i shkathët dhe me emër, “Baba Çeni” kishte ushtruar për njëfarë kohe detyrën e administratorit të qytetit, belediereiz, një lloj kryetari i emëruar bashkie. Nuk është çudi që Hoxha, i cili ka jetuar për shumë kohë afër “Baba Çenit”, të ketë dëgjuar bisedat e para politike pikërisht në takimet ose darkat e xhaxhait të tij me protagonistët politikë të qytetit, në një kohë të trazuar për qytetin, në vitet 1913-1920. Ishte koha kur grekët kishin filluar një propagandë të ethshme për ta futur Gjirokastrën brenda kufijve të shtetit grek.
Hysen Hoxha u bë mecena i tij. Ai gjendet kudo, i veshur me simpati në kujtimet e Hoxhës, me përjashtim të një detaji të vogël: nipi i “Baba Çenit”, djali i vajzës së tij Abaz Omari, shok fëmijërie i Hoxhës dhe bashkëliceist me të në Korçë, u pushkatua në vitin 1945 pikërisht me urdhër të dhënë nga Enver Hoxha në Berat (2). Akuza: ishte radhitur me forcat nacionaliste kundër atyre komunistëve. Eshtrat e tij u zbuluan vetëm në vitin 1993, por skeleti rezultoi pa kokë.
Se përse Hoxha nuk i kushton shumë vëmendje babait të tij, Halilit, nuk dihet. Një burrë i qetë, pa kurrfarë manie protagonizmi, që jetoi me Hoxhën edhe për shumë vite pasi ky u bë “udhëheqësi” i Shqipërisë, ai nuk e manifestoi në asnjë moment statusin ose lidhjen e tij me të birin. Besimtar i thellë, me profesion hoxhë deri në vitet e para të Pavarësisë së Shqipërisë dhe më pas peshëmatës për tregtarët, duket se nuk e miratoi kurrë antagonizmin e komunizmit me fenë dhe me luftën që i biri i bëri asaj qysh në vitet e para të ardhjes në pushtet.
Në kujtimet për vitin 1927, kur duhej të transferohej në Korçë, Hoxha tregon se xhaxhai nuk kishte mundësi ekonomike ta dërgonte atje, ndaj kërkoi për të bursë. Është një hollësi që ka ngjallur jo pak keqkuptime, por një vëzhgim i kujdesshëm vërteton se Enver Hoxha nuk i tha kurrë Halil Hoxhës “baba”. Ai e quan gjithmonë xhaxha. Kjo shprehje duket se kishte mbetur nga koha kur familjet e Hysenit dhe të Halilit jetonin bashkë dhe fëmijët e Hysenit, më të mëdhenj në moshë, e thërrisnin Halilin “xhaxha”. Duke dëgjuar ata, Enveri më i vogël në moshë mësua ta thërrasë edhe ai të atin “xhaxha”, një shprehi që i mbeti deri në fund të jetës. Hoxha ka treguar se si, kur u nis për në Liceun e Korçës, xhaxhai i gjeti një pallto të zezë dhe një palë këpucë të trasha për të përballuar dimrin. Në kujtimet e veta, duke iu kthyer kohës së Liceut në Korçë, Hoxha shkruan:
“I kërkova xhaxhait një herë para të blija një pulovër për dimër dhe një palë këpucë. Ishte shumë e rëndë për të, por xhaxhai bëri si bëri dhe më dërgoi të bëja edhe një palë rroba. Ishte gëzim i madh për mua. Shkova zgjodha copën, një copë bezhë e hapur, më kujtohet që e çova për ta prerë te rrobaqepësi i “Pallasit”…”. (3)
Në ato vite, nga 1927 deri më 1930, Halil Hoxha baba i Enver Hoxhës punonte si peshëmatës në tregun e Gjirokastrës dhe e kishte të vështirë të përballonte ekonomikisht jetesën e të birit. Ai, së bashku me djalin e madh Beqirin, kishin emigruar më herët në Amerikë. Kishin qëndruar atje në vitet vendimtare të formimit të djaloshit. Hoxha i vogël, i vetmi mes tri motrave, u rrit pa babanë e tij dhe duket se xhaxhai, “Baba Çeni”, që kishte vetëm vajza, e mbajti atë pranë vetes dhe e rriti si djalin e vet. Halili u kthye nga Amerika pas 5 vitesh emigrim, ndërsa vëllai Beqiri nuk ndërtoi dot kurrë një jetë të tijën. Djali i madh i familjes Hoxha u shua në moshën 27-vjeçare nga tuberkulozi, duke lënë në familje 3 motra dhe vëllain më të vogël, Enverin.
Ka pak, fare pak të dhëna për fëmijërinë e Hoxhës në Gjirokastër dhe për vitet e para të adoleshencës së tij. Shumica u takojnë kujtimeve që ka lënë ai vetëm, kujtime që, pavarësisht zbukurimeve dhe faktit që mund ta rrëfente si donte fëmijërinë duke qenë njeriu më i fuqishëm në vend, ngjajnë relativisht të sinqerta: një fëmijëri e zakonshme, mes vështirësive të njohura që kalonte Shqipëria e atyre viteve dhe me shpresën për një shkollim të mirë.
Sipas kujtimeve të vetë Hoxhës mësimet e para ai i filloi në Mejtep, një shkollë fetare myslimane ku nisi të mësojë jo vetëm shkronjat turke, por edhe abc-në shqip. Në vitin 1917 u transferua në shkollën e parë të vërtetë shqipe, që u hap në qytet, duke u bërë një nxënës, siç dëshmon gjithnjë ai vetë, i zellshëm. Në fillim të viteve ’20 u transferua në Liceun e sapohapur francez të Gjirokastrës dhe shumë shpejt filloi të mësonte gjuhën dhe të njihte letërsinë frënge. Mësuesit e tij të parë qenë kryesisht zviceranë nga pjesa franceze e Zvicerës, si dhe belgë. Më pas ai i kujton shumë prej tyre me respekt.
Çudia më e madhe është se 70 vjet më pas, kur botoi kujtimet, Hoxha i përmendte me emra gjithë shokët e tij, edhe pse disa prej tyre qenë bërë më pas kundërshtarë të regjimit, qenë burgosur ose pushkatuar: një gjë që nuk ndodhte shpesh në regjimin komunist. Ai i përshkruan ata si fëmijë problematikë, ndonëse ideologjia, s’kishte hyrë ende mes tyre. Një fletë e regjistrit të shkollës fillore të Hoxhës, që gjendet në Arkivin e Shtetit, së toku me gjeneralitetet e tij – Enver Hoxha, i biri Halilit, muhamedan, lindur në Palorto të Gjirokastrës etj. – shënon edhe një tjetër emër që do të bëhej mjaft i njohur në Shqipërinë Komuniste: Bedri Spahiu. Edhe ai i lindur në 1908 po në atë qytet, shok klase i Hoxhës (4).
Adoleshenti Enver Hoxha nuk shquhet për ndonjë talent të veçantë. As ai, as moshatarët që e kanë njohur nuk dinë të veçojnë diçka që binte në sy tek ai, po të mos llogarisësh këtu një lloj angazhimi në teatër dhe një rol episodik që ai ka luajtur në dramën “Besa” të Sami Frashërit, vënë në skenë nga nxënësit e klasës së parë të Liceut Francez të qytetit. Nuk shquhet si një adoleshent karizmatik, as si ndonjëfarë lideri mes shokëve të tij. Interesohet pak për letërsinë që ishte në modë në atë kohë, por gjithsesi ka arritur të mësojë dhe reciton një seri vjershash të rilindësve, veçanërisht ato të Çajupit.
Gjirokastra luajti rol pothuajse modest në formimin e tij, atë që çdo qytet ose fshat luan në fëmijërinë e një personi, ndërsa Korça është qyteti ku ai u formua vërtet. Transferimi i Hoxhës në Korçë ndodhi në mbarim të vitit të dytë liceal. Kur mbaroi klasën e dytë të Liceut Francez në Gjirokastër, ai duhej të vijonte më tej, mirëpo Liceu i atyshëm kishte vetëm 2 klasë dhe atë të 3 dhe të 4 mund t’i vijonte vetëm në Korçë. Familja Hoxha duket se mori vendim që djali i saj i vetëm të shkollohej në Korçë, Liceu Francez i së cilës ishte pa dyshim shkolla më e mirë në vend. Në kujtimet e tij të fëmijërisë Hoxha sqaron se xhaxhai nuk kishte mundësi ta mbante me para gjatë studimeve në Korçë dhe për këtë ai kërkoi bursën. Ai iu drejtua Ministrisë së Arsimit, e cila vendosi që nxënësi Enver Hoxha të fitonte një bursë studimi për në Liceun Francez të Korçës. Nuk do të ishte bursa e parë në jetën e Hoxhës, përfituar nga Mbretëria Shqiptare, por edhe kjo, si gjithë të tjerat që do të vijnë pas, qenë më shumë një ndihmë e familjes Libohova, një prej familjeve më me ndikim në vend, së cilës familja e Hoxhës i ishte drejtuar për të gjetur një zgjidhje.
Një ditë vjeshte të vitit 1927, me pallton e zezë, të marrë borxh nga Baba Çeni, me uniformën dhe kapelën e liceistit që i kishte ardhur nga Janina dhe me një valixhe lëkure që vëllai i tij, Beqiri, kishte sjellë nga mërgimi në Amerikë, Enver Hoxha 19-vjeçar mbërriti në qytetin e fisëm juglindor. Kishte udhëtuar për dy ditë të tëra nëpër një rrugë të keqe, por magjepsëse, përmes pyjeve të Përmetit, ku kishte fjetur një natë, Ersekës dhe, më në fund mbërrinte në Korçë duke kaluar edhe një copë rrugë nëpër territorin grek.
Qyteti i ri iu shfaq befasues: një qytet krejt ndryshe nga ai i lindjes, i pjerrët dhe prej guri. Korça qe një qytet fushor, ndërtuar në një pllajë të mrekullueshme, 800 metra mbi nivelin e detit dhe rrëzë Malit të Moravës. Ndryshe nga Gjirokastra perandorake, plot me kujtime osmane e me zyrtarë të vjetër të saj, Korça ishte qytet i ri, që ua dedikonte shkëlqimin kryesisht tregtarëve të shkathët të krishterë dhe filozofisë së tyre të re. Ajo ishte e admirueshme: me një bulevard të gjerë, përgjatë të cilit ishin ngritur dhe po ngriheshin vilat e hijshme të borgjezisë së re, të tregtarëve, doktorëve dhe avokatëve korçarë. Kangjellat e tyre të veshura me lule dhe modelet që imitonin nga vilat franceze të “Epokës së Bukur” padyshim që do t’i kenë lënë mbresë djaloshit.
Gjirokastriti Enver Hoxha u vendos në Internatin e Liceut, njëfarë konvikti ku në atë kohë strehoheshin rreth 150 studentë nga e gjithë Shqipëria. Bashkë me konviktin “Malet Tona” në Shkodër, Shkollën Teknike amerikane të Tiranës dhe Shkollën Tregtare të Vlorës, Internati i Korçës qe ndoshta institucioni më i rëndësishëm për formimin e rinisë elitare të Shqipërisë.
Vetë Korça, qytet më modern dhe me më shumë frymëmarrje se Gjirokastra, i pëlqeu mjaft Hoxhës dhe luajti rol në formimin e tij, edhe pse – sërish për një habi të pashpjegueshme – kur shkroi kujtimet në fund të jetës së tij ai iu shmang viteve që kaloi si liceist në Korçë dhe u dha më shumë rëndësi, madje duke përshkruar me detaje, viteve kur ishte aty mësues plotësues në Lice nga viti 1937 deri më 1939.
Liceisti Enver Hoxha qe në të njëjtën klasë me disa nga shokët e fëmijërisë që kishte pasur në Gjirokastër.
Njëri ndër ta ishte Hamit Kokalari, një shok vegjëlie që Hoxha e përmend edhe në kujtimet e fëmijërisë. Hamit Kokalari, një personalitet i kulturës shqiptare që në vitin 1944 shkroi librin tanimë historik “Kosova djepi i shqiptarizmit”, u bë i vetmi nga shokët e Hoxhës me një lloj karriere dhe formimi që shpëtoi më pas. Dy vëllezërit e tij u pushkatuan pa gjyq në vitin 1944, ndërsa e motra, një ndër femrat e hirshme dhe të shkolluara të Shqipërisë, shkrimtarja Musine Kokalari, bëri 18 vite burg dhe vdiq në internim.
Edhe Abaz Omari, nipi i “Baba Cenit” ishte një shok i tij i shkollës, ndonëse jo në një klasë: një shok me të cilin ai u shoqërua edhe më vonë në Francë dhe për të cilin flet me shumë mllef në librin “Kur hidheshin themelet e Shqipërisë së re”. E bën sepse, sipas tij, Omari zgjodhi të renditej me nacionalistët në luftë dhe pikërisht për këtë Hoxha e pushkatoi.
Një tjetër shoqe e klasës në Lice, Sabiha Kasimati, që kishte lindur në Turqi dhe qe transferuar në Gjirokastër pas shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë bashkë me familjen, nuk pati fat më të mirë. Sipas dëshmive pas vitit 1990, ajo tallej shpesh me Enver Hoxhën, edhe pse ishte nga Gjirokastra dhe, me gjasë, kishte edhe ndonjë lidhje familjare me të. Kasimati, një grua e pashme siç shihet sot në fotot e kohës, u diplomua në Europën perëndimore dhe u bë një ndër shkencëtaret e para në Shqipëri. Ajo nuk u angazhua në politikë, por u arrestua për atë që njihet si “incidenti i bombës” në Ambasadën Sovjetike në vitin 1953 dhe u pushkatua pa gjyq. Ishte e vetmja femër bashkë me 22 meshkuj, shumë prej tyre të diplomuar gjithashtu në Europën perëndimore. Dëshmitari i vetëm që arriti ta shihte ekzekutimin e saj, një bari, rrëfeu para kamerave dhe gjykatës në vitin 1994 se Sabiha Kasimatin nuk e kishin kapur plumbat e togës së pushkatimit, atë nuk e kishte qëlluar as prokurori, por ishte dhënë urdhër ta masakronin deri në vdekje me kondakët e pushkëve. Tetë ditë pas vrasjes së tyre si autorë të “bombës” së vënë në ambasadë u zbulua personi i vërtetë që kishte hedhur aty një bombë “Molotov”. Më i frikshëm është fakti se Byroja Politike e PKSh mori vendimin për pushkatimin e tyre 4 ditë pasi ata qenë pushkatuar. Varri i përbashkët i Kasimatit dhe i 22 të tjerëve u zbulua vetëm në vitin 1994: në pamundësi për t’i ndarë eshtrat, të afërmit vendosën t’i varrosin sërish bashkë, tashmë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Në kujtimet e Korçës, shumë vjet më vonë, Hoxha nuk ia përmend emrin Kasimatit, por i kushton “të vetmes vajzë” në Liceun e Korçës disa paragrafë ku merret me faktin sesa e shkathët ishte ajo, se si tallej me të gjithë, se si meshkujt i vinin vërdallë, se kush ishte më i dashuruar pas saj dhe se me kë “i kish lidhur” ajo telat, siç shprehet ai: një arsenal thashethemesh që mund ta bëjë çdo adoleshent për dashurinë e tij të parë, por që s’kanë asnjë sens në kujtimet revolucionare të Hoxhës. Sekreti i këtij qëndrimi të Hoxhës ndaj liceistes së re e inteligjente mund të deduktohet nga kjo e dhënë e Vedat Kokonës, një tjetër nxënës i Liceut të Korçës që e njihte mirë Enver Hoxhën, në kujtimet e tij:
“Enveri ishte në klasë më vëllanë tim, Nedinin, me Enver Zazanin, Hamit Kokalarin, Selami Xhaxhiun, Kiço Karajanin, Sabiha Kasimnatin, që e tallte shpesh…”. (5)
Sabiha Kasimati, që dukej se tallej me Hoxhën ose që nuk e përfilli atë, nuk ishte e vetmja që e pësoi. Shokë të tjerë të Enver Hoxhës patën po ashtu fat tragjik. Shumë prej tyre u arrestuan e u dënuan pas luftës, kur ai u bë kryeministër, si Isuf Hysenbegasi, Nedin Kokona dhe plot të tjerë. Vedat Kokona qe ndër shumë-shumë të rrallët që mbijetoi. I diplomuar për drejtësi në Sorbonë të Parisit, dhe i detyruar pothuajse ta braktiste krijimtarinë origjinale, u bë përdhunshëm njëri ndër mjeshtrit e përkthimit të letërsisë botërore në shqipe. Jetoi më gjatë se diktatori dhe në vitet ’90 shkroi kujtimet e veta, një version shumë i ndryshëm nga ai që kishte imponuar vetë Hoxha në librat për rininë:
“Enveri qe më qerrata dhe hokatar, i ngacmonte të gjithë dhe e ngacmonin të gjithë, se u punonte rrengje. Shokët i kishin vënë nofkën “gazhel”, fjalë që kishte pak a shumë ngjyrimin e cilësorit të veshgjatit…”(6).
Në të vërtetë, kujtimet e botuara pas vdekjes së diktatorit e tregojnë atë më së shumti një nxënës mediokër në shkollë, ndërsa në shoqëri një person të ashpër e brutal. Asnjë dokument serioz i mëvonshëm nuk e vërteton këtë, por po ashtu nuk dëshmon që Hoxha të ketë qenë nxënës brilant ose, së paku, që të binte në sy. Një listë notash e ruajtur në arkivin e tij personal, e vitit 1929, përmban shumë “passable” dhe më pak “mediokre”.
Gjatë tre viteve të studimeve në Liceun e Korçës nuk shfaqi ndonjë talent të veçantë: nuk shquhej as për sport, as për letërsi, as për muzikë, as për studimet në përgjithësi si shumë djem të tjerë të moshës. Nisur nga kjo njerëz që e kanë njohur në atë kohë kanë nënvizuar më shumë faktin që ai ishte “njeri mediokër”, pra pa asnjë talent dhe dhunti. Të gjithë bashkë kanë rënë në një kurth të kuptueshëm. Enver Hoxha i takon asaj kategorie njerëzish që nuk i shfaqin talentet e tyre që në fëmijëri ose në të ri, asaj kategorie që duket se nuk është e shenjuar për asgjë specifike dhe që prandaj shpesh nënçmohet ose nuk vlerësohet nga fëmijët dhe të rinjtë e tjerë: janë njerëz pa talente të veçanta nga ato që shoqërojnë këtë etapë të jetës. Enver Hoxha, në të vërtetë, e kishte një talent të veçantë: duke hequr periudhën e kultit të tij të ngritur në maja, kur ai fliste për gjithçka, përfshi sportin, muzikën ose bujqësinë dhe brohoritej nga të gjithë pavarësisht se ato që thoshte nuk kishin kurrfarë vlere, Hoxha ishte padyshim njeri me talent të spikatur politik dhe të pushtetit. Ishte magjistar i tyre, njëfarë fenomeni që vetëm në betejën për pushtet shpaloste gjithë talentin e vet. Një talent i trishtë, zymtan, i dhunshëm dhe shpesh makabër, ai ishte një lloj demoni dhe, si i tillë, mbijetoi për 41 vite me radhë në krye të Shqipërisë duke u bërë, kur po vdiste, diktatori më jetëgjatë i kohës së tij. Ai dominoi plot 41 nga 73 vitet e ekzistimit të Shqipërisë si shtet.
Në mbarim të Liceut, në verën e vitit 1930, Enver Hoxha mbërriti për herë të parë në Tiranë. Rrugës bëri një ndalesë te dajua i tij Shyqyri Çuçi, njeri i kamur që i ishte gjendur shpesh familjes Hoxha. Gjimnazisti i ri u vendos në kryeqytet në hotelin “Durrësi”, një hotel i lirë, në një dhomë kolektive me katër shtretër. Misioni i tij ishte të takonte dhe të fliste me Eqrem Libohovën, që kishte qenë edhe më parë mbështetës i tij (7).
Në kujtimet e veta Hoxha thotë se nuk i pëlqente Tirana, pasi aty rrinte kasta e mbretit Zog, por asgjë nga këto nuk ngjan e sinqertë. Një gjë është e vërtetë: ai duhej të çante vetë në jetë dhe për këtë, siç dëshmon, kishte vendosur që të bëhej dikush. Natyrisht, atë javë që endej rrugëve të kryeqytetit ai nuk mund ta mendonte se 15 vjet më pas do të hynte në kryeqytet si kryeministër i Shqipërisë.
Enver Hoxha ishte nxënës mesatar, mirëpo arriti të fitojë një bursë studimi nga Mbretëria Shqiptare. U dërgua në Montpelie të Francës për të t’u diplomuar si botanist. Në të vërtetë, hulumtimet e mëvonshme kanë dëshmuar se Hoxha gëzonte ndihmën e Eqrem Libohovës, Ministër i Jashtëm i Mbretërisë, njeri me ndikim nga një familje me emër, që ishte njëfarë mecene i familjes Hoxha dhe i njohur i kunatit të tij Bahri Omari. Vëlla i Mufit Libohovës, ministrit të parë të Punëve të Brendshme të shtetit Shqiptar më 1912, Eqrem Libohova kishte qenë adjutant i princit Vied dhe më pas njeri i afërt i Ahmet Zogut, pranë të cilit luante rolin e adjutantit të parë dhe hera-herës atë të ministrit të Punëve të Jashtme. Kjo e vitit 1930 do të ishte vetëm njëra nga ndërhyrjet që Libohova do të bënte në favor të Hoxhës. Siç dëshmojnë njerëz që e kanë njohur nga afër, Hoxha e kishte pritur ditë me radhë Ministrin në derën e shtëpisë për t’i kërkuar këtë favor (8).
(Marre nga libri “Enver Hoxha” I Blendi Fevziu)