Emisioni Stop në Tv Klan ka udhëtuar në qytetin e Bajram Currit, Tropojë, për problemin e një biznesi, lidhur me faturimin nga OSHEE.
Altin Vatoci shpjegon se nga vitet 2018-2022, çdo gjë ka funksionuar normal, deri në momentin që një grup i OSHEE-së ka bërë kontroll në kabinën elektrke dhe ka dalë në konkluzionin që transformatorët e rrymës në kabinë janë 100, ndërsa në sistem 50.
Ky konstatim është pasuar me një detyrim 67 milionë Lekë të vjetra për periudhën 2018-2022 që i janë faturuar pronarit të biznesit. Zotëria ka nisur gjyqin, por kjo nuk e ka penguar OSHEE-në t’i presë energjinë. Altini ka fituar gjyqin në Shkallën e Parë dhe çështja tani është në apel, pas ankimit të bërë nga ana e OSHEE-së.
“Unë i jam drejtuar emisionit Stop për një ngërç që kemi pasur ne si biznes me OSHEE. Ne kemi hapur biznesin në 2017 me kontratë të rregullt furnizimi me dokumente e çdo gjë në rregull. Deri në Prill të vitit 2022 ka funksionuar çdo gjë në rregull sipas sahatit, sipas faturave, sipas OSHEE-së që kanë bërë matje, ka qenë gjithçka në rregull, janë paguar në rregull. Në Prill 2022 më datën 22, kanë qenë një grup i OSHEE dhe ata kanë konstatuar që sipas atyre, sahati ka pasur një problem me koeficentat e rrymës, me transmetues të rinj që janë 50, duhet të ishin 100. Në bazë të këtij procesverbali pa bërë asnjë matje tjetër, asnjë gjë, mua më ka çuar një faturë OSHEE-ja 67 milionë Lekë, që do të thotë për 4 vjet që kam unë paguar me koeficent 50 nga Prilli 2018 deri në Prill 2022 unë kam paguar me koeficent 50, ata ma kanë bërë me koeficent 100 dhe më kanë faturuar një faturë 67 milionë Lekë. Ndërkohë që unë jam në proces gjyqësor me ta, punonjësit e OSHEE kanë qenë para ca ditësh, kanë prerë dritat, pa një njoftim përkatës, pa një letër, pa një vendim pa asnjë gjë. I kanë prerë dritat, kam shkuar jam ankuar në polici, kam shkuar jam ankuar në Prokurori, kanë ardhur pas 1 ore i kanë lidhur prapë. Unë i jam drejtuar Gjykatës së Tropojës me ankesë për faturën 67 milionë Lekë, e kam fituar si çështje dhe OSHEE e ka apeluar, ka shkuar në Apelin e Tiranës. Presim përgjigje”, thotë denoncuesi.
Grupi i xhirimit të Stop pa nga afër kabinën, e cila është e mbyllur dhe menaxhohet nga OSHEE. Eksperti elektrik i caktuar nga gjykata, Ilir Shtjefanaku, ka konstatuar disa parregullsi në bazë të të cilave është marrë vendimi në favor të qytetarit Altin Vatoci.
Gazetarja e “Stop” u interesua dhe mori një përgjigje nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHEE grup, ku thuhet se faturimi është bërë si pasojë e ndryshimeve mes koeficentëve të transformatorëve të rrymës në terren dhe atyre në sistem.