Gjykata në Ekuador ka dënuar me 3 vite burg shqiptarin, Artur Rrapaj, me precedentë të shumta penale, për veprën e pasurimit të pajustifikuar.
Mediat e huaja raportojnë se Rrapaj, u arrestua në Samborondón, provincën Guayas, më 9 shkurt të këtij viti.
I riu shqiptar u arrestua bashkë me bosin më të madh të një rrjeti trafiku droge me pseudonimin ‘Gato’, si pjesë e grupit kriminal ‘Nueva Generación’ që vepronte në Ekuador.
Kujtojmë se asokohe 37-vjeçari shqiptar u kap me disa telefona satelitorë, pajisje GPS dhe 319 mijë dollarë cash. Ndërkohë gjatë arrestimit të tij u nxorën në dritë të dhëna se mafia shqiptare që vepron në Guayas punon me kartelin Nueva Generación.
Në zhvillimin e seancës gjyqësore, ndër provat kryesore të paraqitura nga Prokurori i çështjes në Gjykatën e Garancive Penale, janë dëshmitë e agjentëve dhe hetuesve të cilët arrestuan shqiptarin.
Prokuroria evidentoi se Artur Rrapaj trajtonte shuma të mëdha parash, ndërkohë që nuk ekzistonte një punë apo veprimtari tregtare që justifikonte origjinën apo ligjshmërinë e tyre.
Prokuroria kërkoi dënimin maksimal prej 5 vitesh burg, por Gjykata Penale që shqyrtoi çështjen dënoi me tre vjet burg dhe urdhëroi një gjobë prej 12 pagash bazë të unifikuara të punonjësit në përgjithësi./Opinion.al