Roland Dedja, 40-vjecari nga Durrësi, i cili në Shqipëri akuzohet për vrasje, ndërsa një vit më parë u arratis nga burgu në Itali është gjetur i vdekur në Bolivi.
Mediat atje raportojnë se Dedja u gjet i vdekur në një banesë të marrë me qira bashkë me një shok në zonën veriore të lagjes Los Tusequis në Santa Cruz të Bolivisë.
Mësohet se ai ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak.
Në 25 shtator 2023, ai u arratis nga burgu i Teramos në Abruzo, i ndihmuar nga një dron i jashtëm, i cili transportoi mjetet e nevojshme që u përdorën më pas nga 40-vjecari për të prerë kangjellat dhe për të zbritur me litar.
Dedja në momentin e arratisjes, ishte në pritje te gjykimit për drogë dhe për grabitje pas arrestimit në Martinsicuro. Ai më parë ishte akuzuar edhe për vrasjen e shqiptarit Shpëtim Cupa në Brescia, Itali. Në shkallë të parë ai kishte marrë pafajësi, por çështja më pas u apelua.
Sipas autoriteteve boliviane, Roland Dedja ka hyrë në Bolivi në nëntor 2023 përmes Desaguadero.
Sipas hetimeve të Prokurorisë dhe Policisë, shoqëruesi i tij është zhdukur që nga dita e vdekjes së Dedjas. Rasti është raportuar në Interpol, por ende janë duke u kryer disa hetime.