Policia e Fierit ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë të hënë në fshatin Baltëz, ku mbeti i vrarë me armë zjarri efektivi i forcës së posaçme “Shqiponja”, Novruz Cenalia.
Policia njofton se ai është qëlluar me armë zjarri nga një person me iniciale A.M.
Në momentin e ngjarjes, Cenalia ka qenë jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e policisë pasi po shkonte në punë për të marrë shërbimin.
Tashmë autoritetet janë vënë në kërkim të autorit të kësaj ngjarje me qëllim kapjen e tij.
“Rreth orës 13:15, në fshatin Baltëz, dyshohet se gjatë një konflikti të çastit, shtetasi A. M. ka vrarë me armë zjarri shtetasin Novruz Cenalia, punonjës policie i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Fier, jashtë shërbimi, por i veshur me uniformën e Policisë, pasi shkonte për të marrë shërbimin.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur shërbimet e Policisë, Forca Kombëtare e Sigurisë, Reparti Special “RENEA”, të cilat kanë rrethuar zonën dhe vijojnë punën për kapjen e autorit.
Grupi hetimor dhe drejtues të Departamentit të Policisë Kriminale, në drejtimin e Prokurorisë, po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, njofton policia.