Një 23-vjeçar shqiptar ka ndërruar jetë pasditen e së dielës, 14 korrik, në Greqi, pasi thuhet se pësoi goditje nga i nxehti.
23-vjeçari, i cili raportohet se ishte një person me aftësi të kufizuara jetonte me familjen e tij në Amarinthos, Evia, dhe prindërit e tij kishin një dyqan ushqimor në zonë.
Prindërit, Petrit dhe Vezire Elezi 56 dhe 48 vjeç nga Durrësi, kanë gjetur brenda automjetit të tyre, të lënë të parkuar dhe të pasiguruar jashtë banesës, djalin e tyre Skerdi Elezi 23 vjec, i cili ishte pa ndjenja.
I riu mësohet se u dërgua në spitalin e Halkidës, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta mbajtur në jetë, i riu ndërroi jetë mbrëmjen e së dielës.
Nuk dihet se në çfarë rrethanash 23-vjeçari ka pësuar goditje nga nxehtësia, megjithatë burime policore thanë për mediat greke se prindërit e tij janë arrestuar për hetime të mëtejshme.