Policia greke ka sekuestruar një sasi të madhe droge në rrugën “Egnatia” në afërsi të Igumenicës.
Operacioni është zhvilluar sot nga policia kufitare e Filatit në bashkëpunim me sektorin e luftës kundër narkotikëve të policisë së Igumenicës.
Policia greke ka ndaluar një automjet taksi dhe ka zbuluar brenda saj, në bagazh dhe sediljet e pasme, 72 pako që përmbanin 81 kg 704 gram marijuanë. Në prangat e policisë kanë rënë drejtuesi i mjetit, shtetasi grek Mikhail Angjelo 52 vjeç nga Artemida e Athinës dhe pasagjeri, shtetasi shqiptar Kosta Beqo, 54 vjeç nga fshati Çukë i Sarandës.
Policia greke u sekuestroi të dyshuarve edhe 4370 euro.
Për rastin në fjalë, po zhvillon hetime intensive edhe Komisariati i Policisë Kufitare Sarandë, i cili është informuar nga homologët grekë. Ndërkohë ende nuk ka informacione nëse droga ka kaluar nga kufiri shqiptaro-grek.