Agjencia amerikane USAID, që shpërndan miliardë Dollarë ndihmë monetare në gjithë botën, mund të jetë drejt mbylljes.
Njeriu më i pasur i botës, Elon Musk, që është i angazhuar për të reduktuar kostot e shpenzimeve federale amerikane, thotë se Presidenti Donald Trump ka pranuar mbylljen e USAID.
Sipas tij, Trump ka nënshkruar mbylljen e agjencisë.
“Përsa i përket çështjeve të USAID-it, e diskutova me Presidentin në detaje dhe ai ra dakord që duhet ta mbyllim”, tha Elon Musk.
Selia e USAID në Uashington, gjatë ditës së sotme ishte e mbyllur, teksa punonjësit ishin njoftuar me email që të qëndronin në shtëpi dhe të mos paraqiteshin në punë.
Një ditë më parë, Elon Musk e konsideroi organizatë kriminale USAID-in, përmes një postimi që bëri në rrjetin social X.
Përplasja erdhi pasi përfaqësues të Departamentit amerikan Doge që drejtohet nga Elon Musk për të reduktuar shpenzimet qeveritare, nuk u lejuan të hyjnë në godinën e USAID. Dy punonjës të lartë të kësaj agjencia u pushuan më pas nga detyra me urdhër të administratës Trump.
Aktualisht, fondet e USAID janë ndërprerë në të gjithë botën, përfshirë edhe Shqipërinë, përmes së cilës merrnin fonde një sërë institucionesh shtetërore.