Elisa Spiropali, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin është shprehur se opozita nuk mund të bëhet pjesë e reformave pa i bërë më parë një analizë vendimeve që ka marrë deri më tani.
Spiropali foli në “Abcnews” dhe për përgjimet e publikuara nga gazeta gjermane “Bild”.
Ajo tha se Partia Socialiste ka kosto morale, ndërsa shtoi se bisedat e kryeministrit Edi Rama ishin normale dhe sipas saj, kjo është arsyeja që kryeministri ka vendosur të hedhë në gjyq gazetarin e “Bild”.
Sipas ministres, më 30 qershor do të marrë fund “kjo aventurë parapolitike që ka zgjatur për shumë vite, është Shqipëria dhe ligji, e para, pastaj interesat e përveçme të partive politike”
“Ne nuk e dimë se cilët do jenë përfaqësuesit e opozitës, shpresojmë që pas 30 qershorit, ajo të bëj një analizë të saj, se cilat janë shkaqet që e çuan në këtë derexhe, cilët janë faktorët dhe udhëheqësit pa kokë, të kësaj strategjie shkatërrimtare, të gjejë përgjegjësit dhe mundësisht të gjejë edhe guximin për t’u rritur, për të ndryshuar dhe për tu bërë pjesë e një sistemi normal funksionues demokratik. Ajo që ka ndodhur dhe ajo që nuk duhet të ndodhë më, është që, forca politike apo drejtues politikë, emra të përveçëm, nuk mund të marrin peng të gjitha proceset demokratike në një vend. Nuk mund ta kthejnë Shqipërinë mbrapa, nuk mund të jenë ata që vendosin kur lind dielli dhe kur perëndon. Në 30 qershor merr fund kjo aventurë parapolitike që ka zgjatur për shumë vite, është Shqipëria dhe ligji, e para, pastaj interesat e përveçme të partive politike”, tha Spiropali./ Opinion.al E.Xh.