Prej disa ditësh vendi ynë është përfshirë nga i nxehti afrikan me temperatura që arrijnë deri në 42 Gradë Celsius sipas sinoptikanëve. Gjatë kësaj fundjave Elbasani, Fieri, Berati apo dhe kryeqyteti janë disa prej qarqeve me temperaturat më përvëluese.
Kjo valë e të nxehtit do të jetë prezente në vendin tonë deri në fund të muajit Korrik theksojnë sinoptikanët.
E teksa shumë persona kanë gjetur zgjidhje duke e përballuar valën e të nxehtit pranë bregdetit për shkak edhe të pushimeve verore, këtë fat nuk e kanë ata të cilët u duhet të punojnë apo të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme.
Për shkak të temperaturave të larta, specialistët e shëndetit theksojnë se goditjet nga nxehtësia ekstreme janë një nga komplikacionet më të shpeshta që ndeshen gjatë këtyre ditëve.
Nga ekspozimi intensiv i organizmit në diell shkaktohet rritje e menjëhershme e temperaturës së trupit mbi 41 gradë brenda një periudhe të shkurtër kohore 10-15 minuta, ndaj shmangia e lëvizjes nga ora 11:00-17:00 është e domosdoshme.
Me rëndësi mbetet edhe zgjedhja e rrobave të përshtatshme për kushtet klimatike, rihidratimi i rregullt apo freskimi i herëpashershëm.
Klan News