Një shtetas shqiptar, është ekzekutuar mbrëmjen e sotme në rrugën “Kritis”, që ndodhet mes shesheve “Karaiskaqi” dhe “Omonia” në kryeqytetin grek, Athinë.
Korrenspondenti i Top Channel në Athinë, njofton se viktima është një shtetas 43-vjeçar nga Fieri, baba i 3 fëmijëve, i cili njihej si një biznesmen që merrej me rritjen artificiale të peshkut.
Ai kishte mbërritur prej pak ditësh në kryeqytetin grek dhe ndodhej në një lokal në rrugën “Kriti”, kur edhe u qëllua nga dy persona me motoçikletë dhe me kaska.
Viktima u qëllua me breshëri automatiku, duke marrë plumba në kokë e në gjoks dhe nuk arriti t’u mbijetojë plagëve, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.
Policia mbërriti në vendngjarje brenda disa minutash dhe paraprakisht ka raportuar se bëhet fjalë për larje hesapesh mes bandave të prostitucionit dhe drogës, që operojnë në zonë.
Rruga “Kritis” njihet si një nga zonat më famëkeqe të kryeqytetit grek, ndërsa policia e Athinës nuk ka zbuluar ende identitetin e viktimës./Burimi TCH