Denis Shtaza, i ndaluar ditën e sotme nga Policia e Durrësit si person i mundshëm në rrëmbimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut, ngjarje e ndodhur në datën 6 janar 2016 në Durrës, është mik i Emiljano Shullazit, i një personazhi të njohur në botën e krimit.
Më shkurt të vitit 2013 Denis Shtaza ka qenë objektiv i një atentati, ku mbeti i plagosur rëndë
Ngjarja ndodhi në lagjen nr. 1 të Durrësit, pranë ish-fabrikës së cigareve. Sipas policisë së Durrësit, atë kohë 29-vjeç, Shtraza u qëllua me armë zjarri përpara një lokali me baste sportive dhe u dërgua në spital në gjendje të rëndë.
Që në fillim, policia identifikoi të plagosurin, i cili rezultoi me precedentë të mëparshëm penalë, ndërkohë që sipas hetuesve, ai njihet edhe si mik i Emiljano Shullazit, i një tjetri personi të njohur në botën e krimit, i cili në atë kohë ndodhej i arrestuar për armëmbajtje pa leje.
Duke u bazuar në këto pak informacione, policia ngriti dyshimet për larje hesapesh, por edhe ndonjë konflikt të mundshëm, në të cilin ishte përfshirë Shtraza, i cili ishte ekstraduar katër vjet më parë nga Gjermania, si person i kërkuar nga drejtësia shqiptare që në vitin 2008.
Sipas të dhënave, i plagosuri njihet si person me precedentë penalë, pasi në vitin 2008, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Durrësit kishte regjistruar dy procedime penale ndaj tij dhe Gjykata kishte dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për veprat penale të “plagosjes së rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim, “vrasjes me dashje e mbetur në tentative” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Shpallja e tij në kërkim ndërkombëtar erdhi pas dyshimeve të akuzës se ai ishte autor për plagosjen me armë zjarri në bashkëpunim të shtetasit Llazar Zoto më 15 maj 2008 në qytetin e Durrësit. Në verën e po atij viti, më 20 gusht në disko “Kolombo” në plazhin e Durrësit, Shtraza u akuzua se ka plagosur shtetasin Hektor Kollçaku. Pas këtyre ngjarjeve, ai kishte mundur t’i shpëtonte drejtësisë deri në prill të vitit 2009 kur u kap dhe ekstradua nga Interpoli./ Opinion.al Dritan Laci