Një avion i kompanisë EgyptAir, që fluturonte nga Parisi në drejtim të Kajros dyshohet se është rrëzuar në Detin Mesdhe. Konfirmimi për rrëzimin e avionit vjen nga kompania EgyptAir. Kjo kompani tha se në avion ishin 56 udhëtarë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit, ndërsa u zhduk nga radarët pak kohë pasi ka hyrë në hapësirën ajrore të Egjiptit, sot herët në mëngjes. Të njëjtat burime thonë se në mesin e pasagjerëve ishin edhe një fëmijë dhe dy foshnje.
Vendi i fundit ku është kapur nga radarët mjeti fluturues, i tipit Airbus A320 ishte mbi Detin Mesdhe, aty ku edhe ku dyshohet se është rrëzuar.
Kapiteni i një anije tregtare pohoi se pak para se avioni të zhdukej, ai kishte parë flakë në qiell rreth 240 km në jug të ishullit grek Karpathos.
Në mars të këtij viti një avion, i po kësaj kompanie në fluturimin prej Aleksandrisë për në Kajro është rrëmbyer dhe është detyruar të fluturoj në Qipro, ku rrëmbyesi ka kërkuar të takohej me ish-bashkëshorten e tij. Ai ishte dorëzuar pas gjashtë orësh.