Rrogozhina është gati për të përjetuar himnin e Champions League.
Për herë të parë në historinë e saj, ky qytet do të mirëpresë një ndeshje të një kompeticioni europian, ku protagoniste është vetë skuadra që e përfaqëson e mbushur me pasion sportiv.
“Arena Egnatia”, stadiumi modern me kapacitet prej afro 5 mijë vendesh, do të jetë i tejmbushur për ndeshjen e kësaj të marte kundër Breidablik. Interesimi ka qenë i lartë, me tifozët që kanë siguruar vendet e tyre për të qenë pjesë e këtij eventi historik.
Vitet e fundit kjo skuadër ka qënë solide në futbollin shqiptar dhe tashmë ka rastin të tregojë veten edhe në Europë. Ndeshja nuk shihet vetëm si një mundësi për të avancuar në kompeticion, por si një moment krenarie kolektive për qytetin.
Çfarëdo që të ndodhë në fushën e lojës, një gjë është e sigurt: kjo ndeshje do të kujtohet gjatë.
Jo vetëm për rezultatet sportive, por për mënyrën se si një qytet u bashkua rreth një qëllimi, për ta jetuar dhe ndarë së bashku ëndrrën europiane.
Klan News