Me propozimin për disa ndryshime në ligj, Ministria e Brendshme synon që shumë shpejt qytetarët shqiptarë çdo dokument ta kenë dixhital.
“Në lidhje me ligjin për pasaportat dhe dokumentet biometrike dua të informoj publikun se ka të bëjë me një ndryshim të domosdoshëm në kuadër të zhvillimit të vrullshëm teknologjik. Na duhet që edhe Shqipëria të emetojë sa më parë të jetë e mundur dhe për këtë po bëjmë të gjithë përpjekjet me kompaninë IdentiTek që është ofruesi i vetëm i dokumenteve biometrike identifikuese në Shqipëri, në mënyrë që ligji të na mundësojë edhe prodhimin e dokumenteve dixhitale të identifikimit, e-ID”.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla, tha se synimi është që të shkohet drejt e-wallet, pra që çdo dokument që sot mbajmë në portofol, të jetë në telefon.
“Synimi ynë është të shkojmë drejtë e-wallet, pra të gjithë dokumentet që mbajnë qytetarët në portofolet e tyre, qoftë, kartë ID, patenta, kartat e kreditit apo dokumentet të Identifikimit të jenë dixhitale pra të mos mbahem më në portofol, por në telefonin e tyre celular. Ky ndryshim i ligjit është i domosdoshëm, që t’i hapim rrugën më pas kompanisë shtetërore IdentiTek, të ecë përpara me prodhimin sa më shpejt të dokumenteve dixhitale, që synojmë t’i realizojmë në një kohë sa më të shkurtër”.