Ismail Kadare e ngriti vetë telefonin që tingëllonte dhe një zë gruaje iu prezantua me mirësjellje si Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit. Ajo e sqaroi se, sipas kërkesës që kishte bërë për të shkruar një libër mbi prishjen e marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike, ajo kishte dëshirë ta priste të nesërmen. Ai mund të shkonte për kafe në shtëpinë e saj, në ora 5 pasdite, madje mund të merrte me vete edhe të shoqen.
Ishte mars 1971. 35-vjeçar, autor i disa librave që kishin tërhequr vëmendjen dhe i botuar me sukses në Francë, Kadare spikaste qartazi si talenti më i madh i letrave shqipe. Përgjatë dhjetëvjeçarit të viteve 60 kishte bërë emër ishte tejet i pëlqyer nga rinia. Në fund të vitit 1970 kishte lindur ideja të shkruante një libër për marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, libër në të cilin do të ishte personazh edhe vetë Enver Hoxha. Gjirokastrit si lideri komunist, i lindur 28 vjet më pas, Kadare kishte kaluar fëmijërinë në një shtëpi vetëm pak hapa larg asaj të Enver Hoxhës, por nuk e kish takuar atë asnjëherë. Dy shtëpitë e tyre i ndante një rrugë me emrin ngacmues “Sokaku i të marrëve”.
Hoxha nuk ishte indiferent ndaj veprës së Kadaresë. Po t’u referohesh kujtimeve të Ramiz Alisë, njeriut politik të ngarkuar me çështjet e kulturës, Hoxha e kishte identifikuar atë si një talent të ardhshëm që herët në vitet 60. Nga ana tjetër, duket se familja e Kadareve dhe ajo e Hoxhatëve kishin një lidhje të largët farefisnore, një lidhje gati të “harruar” nga të dyja palët.
Ismail Kadare mbërriti në shtëpinë e shefit komunist 5 minuta përpara orës së caktuar. Gruaja e diktatorit, drejtoreshë e një strukture të emërtuar “Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste”, – në të vërtetë e ngarkuar me botimet kryesisht të “veprave” të të shoqit, – e priste aty buzëqeshur dhe e qetë. Biseda tentohej të qe e ngrohtë, por ajo ishte e thatë dhe pa ndonjë kulm. Nexhmije Hoxha i sqaroi shkrimtarit se për atë roman do t’i viheshin në dispozicion të gjitha materialet sekrete, përfshi procesverbalin e Takimit të Moskës dhe të bisedimeve mes Hoxhës e Hrushovit. Biseda po hynte në një pikë të vdekur, kur dera e dhomës trokiti lehtë. Personi nuk priti miratimin: dera u shty ngadalë dhe në hapësirën e saj u shfaq koka e Enver Hoxhës. I qetë, i qeshur, ai u përshëndet dhe pothuajse kërkonte një miratim duke iu drejtuar të treve Nuk ka asnjë dyshim që ai s’kishte nevojë për leje.
Në një intervistë të vitit 1998 Ismail Kadare e kujton kështu atë takim:
“… trokiti dera, hyri Enver Hoxha, dhe tha:
-Mund të ulem të bisedoj dhe unë? T’ju prish muhabetin?”
Në mënyre shumë familjare u ul dhe kjo ka qenë biseda ime, takimi im i parë dhe i fundit me te. Qëndroi dy orë e gjysmë, ndoshta tri. Foli me tepër ai. Ishte në një ditë që, si dukej, kishte qejf të bisedonte. Foli për Gjirokastrën, kujtoi qytetin e lindjes. Kishte një kujtesë shumë të freskët për të, duke ringjallur krejt lagjen ku ne kemi pasur shtëpitë.
Bisedoi për familjet e vjetra të Gjirokastrës, një bisedë shumë tërheqëse, interesante. Ai dinte shumë gjëra, i tregonte shumë bukur.
Pastaj motivi i dytë ishte biseda për Moskën. Jo bisedë politike, por kryesisht e mbajtur me përshtypje. Gjysmë dokumentare, gjysmë artistike, për qëndrimin në Moskë në ato ditë kur vazhdonte ky konsil i madh komunist. Foli për ankthin, pasigurinë, takimet e tij me të gjithë ata. Rrëfeu se si ka qenë ajo darka e famshme në Kremlin. Unë e kam shkruar në roman pak a shumë si tregimi i tij. Rrëfimi i tij është pak a shumë atmosfera që kam përshkruar në një nga kapitujt e romanit: “Darka në Kremlin””. (1)
Nuk ka asnjë dyshim se Enver Hoxha ishte regjisori i takimit me Ismail Kadarenë. Gruaja e tij thjesht kish kryer korrierin, sepse një thirrje nga Hoxha do të merrte të tjera tone. I vënë në dijeni për planin e Kadaresë, i bindur për talentin e tij, ai duket qe joshur nga ideja që të ishte personazh në librin e tij. Kadare mbeti i befasuar nga takimi. Një takim ku, siç shprehet ai, nuk u përmend askund Partia, nuk kishte slogane dhe ku Hoxha ishte shumë ndryshe nga ai që vetë Kadare kish paragjykuar deri atë moment:
“… biseda ishte kryesisht në tone intelektuale. Nuk dëgjova asnjë slogan politik gjatë tri orëve që qëndrova me të. Kjo ishte gjë e rrallë. Të bisedoje me një shef komunist dhe të mos thoshte asgjë, absolutisht për politikë. Unë e kam biseduar, se ka qenë dhe ime shoqe atje. Të dy kur ikëm thamë: “Çudi si s’tha asgjë për regjimin!” Absolutisht, as i përmendi Partinë, revolucionim, këto gjëra, asnjëherë. I vetmi muhabet ishte ky: Gjirokastra, Moska. Kur ikëm më dhuroi një libër të Zaharia Majanit për rrënjët e gjuhës shqipe dhe një komplet të veprave të Balzakut”. (2)
Marrëdhëniet e Hoxhës me Kadarenë kanë qenë ndër më të ndërlikuarat dhe më të koklaviturat që diktatori ka pasur me ndonjë personazh tjetër të njohur në diktaturë. Takimi i marsit të vitit 1971 ishte i pari dhe i fundit midis të dyve. Derisa vdiq, më prill të 1985-ës, Hoxha nuk pati më asnjë takim tjetër vetëm për vetëm me të.
Romani për marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike u botua në fillim të vitit 1973 me titullin “Dimri i vetmisë së madhe”. Edhe fati i tij qe i çuditshëm. Fill pas botimit filloi një fushatë e papritur kritikash. Kadare u akuzua për disfatizëm, për faktin se në një roman ku ishte personazh Enver Hoxha kishin zënë vend po ashtu personazhe rrugaçësh, femrash imorale etj. U akuzua se e kishte quajtur Shqipërinë socialiste “të vetmuar” dhe ky ishte mëkat i pafalshëm. Ndëshkimi i Kadaresë dukej i sigurt. Në një shoqëri komuniste fushata të tilla kritike shërbenin si prolog të një ndëshkimi të frikshëm. Hapi i parë u krye: romani u ndalua dhe kopjet e pashitura ende “u bënë karton”, një proces nëpërmjet të cilit librat e ndaluar hidheshin në makineri që i shndërronte në njëfarë përzierje brumi që shërbente për të përgatitur kopertinat e librave të rinj. Por, ndërsa pritej ndëshkimi i Kadaresë, ndodhi e kundërta. Në një mbledhje të Plenumit të Partisë të rrethit të Elbasanit, në maj të vitit 1973, pra dy muaj pas nisjes së fushatës, Enver Hoxha u rendit në mbrojtje të Kadaresë. Një vendim i papritur. Ai e quajti problematik romanin, por jo të tillë sa për t’u hedhur poshtë. Kadarenë e quajti shkrimtar të talentuar dhe i kërkoi ta rishikonte librin. U duk një zgjidhje kompromisi. Kadare e ribotoi librin afro një vit e gjysmë më vonë, me fare pak ndryshime dhe me titullin ku ishte hequr fjala vetmi: titullohej thjesht “Dimri i madh”.
Nga viti 1975 deri më në vitin 1985, kur Hoxha ndërroi jetë, Kadare pati shumë ulje e ngritje të tjera. Por një gjë ishte standarde: ai konsiderohej një njeri i borgjezisë, njëfarë agjenti francez dhe nuk është aspak çudi që kjo vinte për faktin e thjeshtë se ishte botuar dhe pëlqehej në Perëndim: konstatimi nuk vinte nga një njeri i zakonshëm, por nga vetë kryeministri i Shqipërisë. Në një debat me të birin ai ia kishte ndaluar atij të shoqërohej me Kadarenë, sepse ishte njeri me paragjykime dhe agjent i borgjezisë:
“… Kadareja është dyshuar për agjent. Më kanë pyetur edhe mua për të një herë pas arrestimit në hetuesi, se mos kishte lidhje të babait me Perëndimin nëpërmjet Kadaresë. Sepse Kadare shkonte në Perëndim. Si nuk doli gjë nga kjo, u mbyll çështja. Por Sigurimi e dinte që Kadareja ishte kundër regjimit dhe unë këtë e pashë shumë qartë në hetuesi. Ata ishin gati-gati të sigurt se ai do të futej brenda. Unë kam takuar njërin nga ata njerëz që më kanë marrë në pyetje dhe e kam pyetur pse ngulmonin aq shumë te Kadareja në njëfarë momenti. Ai tha se ishte hapur dosja për ta futur brenda, por ajo u mbyll, u ndërpre”. (3)
Një arrestim i mundshëm i Kadaresë është ndaluar padyshim me urdhër të Hoxhës, edhe pse dosja e ndjekjes së tij nga organet e Sigurimit të Shtetit është më e vëllimshmja e ndonjë personazhi publik në Shqipëri. Plot 1280 faqe dhe katër vëllime: një dosje e mbushur me cikërrima, shumica denoncime të vetë kolegëve të Kadaresë për stilin e tij të të shkruarit ose riprodhime bisedash me miq, në të cilat jo rrallë shahej Stalini ose viheshin në lojë personazhe të larta drejtuese të Partisë.
Nexhmije Hoxha, tanimë vejushë e Enver Hoxhës, dëshmon në kujtimet e saj se i shoqi disa herë është nervozuar me Kadarenë, disa herë ka deklaruar se ai po punonte kundër Partisë, por përsëri ka qenë ai që e ka mbrojtur. Pa dyshim që Hoxha e ka mbrojtur Kadarenë dhe ky i fundit nuk e mohon këtë, por pas pyetjes se “nga kush më mbrojti Hoxha”, që Kadare e ka bërë në një intervistë televizive dhe përgjigjes, “nga ai vetë”, shkrimtari ka dhënë edhe një shpjegim tjetër. Atë që pas librit “Dimri i vetmisë së madhe”, i joshur nga përshkrimi dhe nga vizatimi që Kadare i kish bërë në roman, Hoxha nuk donte ta dënonte. Ai druhej se bashkë me të do të humbiste dhe statusin e të qenit personazh, status që me gjasë duhet t’i ketë pëlqyer fort.
I pyetur nga autori për rastin konkret, në momentin e përgatitjes së këtij libri, Kadare u shpreh:
“Marrëdhëniet e një shkrimtari të madh me një diktator janë komplekse dhe të vështira për t’u shpjeguar. Për arsyen se të dy ata janë tiranë, por në këtë përballje, diktatori është tirani falso…”. (4)
(Marre nga libri “Enver Hoxha” i Blendi Fevziu