Nga Jorida Tabaku
Ka pothuajse një muaj që diskutojmë mbi buxhetin e deri më tani, më është dukur sikur jemi kthyer pas në kohë. Kam dëgjuar ministra që kanë folur më shumë për të shkuarën, se për të tashmen e të ardhmen. E nuk kam dëgjuar një herë të vetme asnjë fjalim që të shpjegojë çfarë sjell ky buxhet..
Nuk kisha lexuar kurrë një relacion me më shumë retorikë, demagogji e fjalë boshe. Ia arritëm dhe kësaj dite, që dhe buxhetin ta mbushim me fjalë por pa shifra, ta kthejmë në relacion pa vlerë e kuptim. Ndërsa lexoja ngrita tri pyetje:
Së pari; A e ka ulur qeverisja në këtë mandat Hendekun Social mes shtresave?
Një muaj më parë, Banka Botërore nxori raportin mbi indeksin GIN, që mat hendekun mes të pasurve dhe të varfërve. Shqipëria, nga viti 2008-2013 raportohet se ka ulur hendekun mes shtresave sociale nga 30.6 në 2005 në 28.96.
Logjika të shtyn të mendosh që një qeverisje e majtë ka qenë e angazhuar tek zvogëlimi i mëtejshëm i hendekut.
Shifrat dhe të dhënat e katër viteve të buxheteve rilindase apo dhe raporteve dëshmojnë të kundërtën.
Raporti i BB, të cilin kryeministri herën e shkuar e citoi shkarazi, raporton se 45.3% e bashkëqytetarëve tanë jetojnë në një varfëri ekstreme, me më pak se 5$ dita ndërkohë që biznese që marrin para nga qeveria rrisin të ardhurat brenda vitit me 70%.
4% e shqiptarëve jetojnë me nën 2.5$ në ditë duke luftuar për mbijetesë ndërsa qeveria ka ngrirë pagat dhe pensionet. Ngrirje të cilën propagandon se do ta zhbëjë vitin tjetër me një rritje të planifikuar 11% më pak se sa inflacioni i shportës së ushqimeve.
Shpenzimet sociale rezultojnë gjithnjë e më të ulëta në raport me PBB-në në çdo buxhet të rilindjes. Në tre vjet qeverisje asnjëherë nuk është ngritur përqindja e fondeve që duhet të shkonin për shtresat e varfra nga kjo qeveri më lart se sa 9%.
Mesatarja e Transfertave vjetore e qeverisë ndaj qytetarëve për katër buxhetet ka qenë 1.45% e PBB-së, një vlerë më e ulët se sa edhe katër buxhetet e mandatit të dytë 2009-2013 (që kanë qenë 1.55% të PBB-së).
Edhe kjo është ndjerë tek qytetarët, që në vitin 2015 kanë shpenzuar 48.7% të buxhetit të tyre për shportën e ushqimeve. Cfarë nuk iu premtua por në fakt po shohin pas katër vjetëve një indeksim të pagave dhe pensioneve dhe një GDP për frymë më të ulët se 4 vite më parë. Në vitin 2013 ajo ishte 4413$/capita ndërsa aktualisht ajo pritet të jetë 4210 $/capita
Rilindja, për shkak të vitit elektoral, ka menduar që të rrisë me 8,6 mld lekë buxhetin për pagat e pensionet.
Një rritje qesharake, nëse do ta krahasosh me periudhën përpara Rilindjes, ku pensionet u rritën me 2.1 mld USD dhe ku u mundësua që pensioni në fshat të afrohej me atë në qytet. Pa pasur nevojë për eksperimente sociale të variantit Rilindas.
E habitshme është të shohësh një qeveri që i ka taksuar shqiptarët në katër vjet 684 mijë USD në ditë [1 mld USD/(4*365)] dhe në fund të katër viteve ka ngritur pensionin 7% pra vetëm 4.5$/muaj për vitin 2017 që i bie 15 cent në ditë. Plot 30 herë basahkë me këtë të sotmen kanë sjellë rritje taksash, e sot vetëm një herë ndeksim!
Relacioni i projektbuxhetit trajton rritjen e pagave me 10% a thua se kjo qeveri është e para që po rrit pagat. Megjithëse rritja e tyre ishte mesatarisht 2.2 herë më e madhe nga qeverisja e shkuar dhe vlera e 9.3 mld lekëve (duke përfshirë edhe rritjen e sivjetshme për policët) është sa e sa herë më e ulët se sa rritja prej 12.7 mld lekësh në vit të qeverisjes së shkuar.
Por sërish, për këtë qeveri, kjo rritje pagash është më e larta! Natyrisht, krahasuar me veten e tyre, kjo është padyshim rritja më e lartë e pagave ndonëse rritja e pagës është më e ulët se sa norma e inflacionit prej 21% të zërit të Ushqimeve dhe Pijeve joalkoolike. Inflacion i prodhuar në një mandat qeverisës.
Nëse qeverisja e djeshme mirë apo keq ka kontribuar në 670 mln USD, në llogaritje kumulative, për këtë faturë çfarë kontributi ka në zbutjen e hapësirës sociale mes të pasurve dhe të varfërve kjo mazhorancë që u proklamua si shpëtimtarja e Shqipërisë nga varfëria?
Asnjë! të nderuar kolegë. Asnjë!
Tërësisht ndryshe mendon Rilindja e cila ka projektuar për buxhetin 2017 një shume prej 111 mln lekë më pak sa i takon Përkujdesit Social, një vlerë që është 65% më pak se sa viti aktual sipas tavaneve buxhetore.
Nga viti 2014 e në vazhdim janë hequr nga listat e familjeve në nevojë abuzivisht 23 mijë të tilla, ndërkohë që fondi për Përkujdesin Social është ulur nga viti 2014 e këndej. Në 2015 ishte 10% më pak se sa viti 2014, në 2016 ishte 3% më pak se sa viti 2015 dhe në 2017 është 1% më pak në total se sa viti 2016.
Shërbimi social, pretendohet se ka një rritje të buxhetit në total, kur në fakt 90% e zërave të buxhetit dedikuar për shërbimet sociale janë me ulje dhe rritjen më të lartë e ka zëri i Transfertave me 4.2 mld lekë, ndërkohë që zërat e tjerë; transfertat tek individët që janë paratë që marrin qytetarët (-200 mln), investime kapitale të trupëzuara që do të ishin për strehimin (-260 mln).
Në një mandat shpenzimet për ndihmën ekonomike janë poshtë 1.3 % te PBB-se, ndërkohë qe mesatarja e periudhës 2007-2013 rezulton ne masën 1.4% te PBB-se.
Qeveria, nuk ka para për këto grupe shoqërore, ndërsa për oligarkët pranë saj të cilëve u jep llokma koncesionesh publike nën termin PPP, ajo është xhepshpuar. Rezulton nga të dhënat e buxheteve të këtij mandati të marra së bashku, se janë shpenzuar mbi 500 mln euro për tendera dhe koncesione.
Kjo është Rilindja, të nderuar kolegë, e majta progresive e taksës progresive që nuk prodhon rrogën e 13 por vetëm propagandë dhe buxhet me parimin “Paratë e taksave në xhepat e koncesionarëve”!
Së dyti: A ka kontribuar Rilindja në krijimin e një klime pozitive për bizneset e uljen e papunësisë?
Buxheti për Tregun e Punës nuk ka asnjë rritje gjatë këtij mandati, asnjë ndihmë në shërbim të zhvillimit të tij. Megjithëse shqiptarët që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së më së shumti për një vend pune janë 65 mijë.
Shqiptarët largohen dhe qeveria programon që në buxhetin e shtetit për vitin 2017 të ulë me 100 mln lekë zërin e Transfertave sociale, që përkthehet në11% pagesë më e ulët e papunësisë.
Kryeministri jo pak herë lexon nga kjo foltore të dhënat e Anketës së Punës, duke kërkuar të na mbushë mendjen se numri i të punësuarve në vend është rritur.
Sipas Anketës, nga tremujori i parë 2014 e deri në tremujorin e dytë 2016 janë punësuar 29.339 shqiptarë në bujqësi, megjithëse sipas të dhënave për rritjen ekonomike bujqësia ka pesë tremujore me radhë që bie dhe vetëm në të fundit rënia është 1,42%. Atëherë si ka mundësi që kemi rritje të punësimit në bujqësi por ama kemi rritje ekonomike negative në të njëjtin sektor? E kështu mund të marr sektore të tjerë pa fund!
Për çfarë rritje punësimi mund të flasim, kur norma e papunësisë ishte 15.9% ndërkohë që katër vjet më parë kjo normë ka qenë 14%? Për çfarë rritje të punësimit mund të flasim kur rritja ekonomike ka qenë më e dobët dhe përherë poshtë parashikimeve qeveritare?
Kjo është çfarë fshehin këta që do e hiqnin INSTAT nga thundrat e qeverisë, e hoqën nga godina por i rritën varësinë, sot INSTAT drejtohet as më shumë e as më pak nga këshilltarja e KM. E as ajo, nuk po e gjen dot si të bëjë 300 000 të punësuar.
Së treti: Çfarë ka bërë kjo qeveri për shtresat e të përndjekurve politikë?
Nuk habitem më, që në buxhetin e shtetit nuk shoh më shumë para për të përndjekurit politik por ama shoh më shumë para për zyrën e kryeministrit Rama.
Sipas llogarive të rilindjes, të përndjekurit duhet të presin 20 vjet të tjera për të marrë këstin ndërkohë që kryeministri ka rritur shpenzimet për mobilime me 1.2 mln USD.
Përgjatë tre buxheteve të miratuara nga qeveria aktuale (2014, 2015, 2016) të përndjekurit kanë marrë 3.7 mld lekë ndërkohë që katër vjet më parë nga buxheti i shtetit janë disbursuar për të përndjekurit politikë 7.6 mld lekë.
Duke mos mbajtur premtimin për dëmshpërblimin brenda dy viteve të para të qeverisjes për ish të përndjekurit që janë në jetë. Për dëmshpërblimin e plotë të trashëgimtarëve dhe ish të burgosurve në vitin e tretë të qeverisjes. Apo premtimin për t’i rritur vlerën e dëmshpërblimit sikundër kishte premtuar.
Po cila është në fund të fundit arritja e kësaj qeverie në katër vjet?
I vetmi rezultat konkret i asaj që ka ndodhur në këto katër vite është një mungesë gjithnjë e më e madhe e Mobilitetit Social. Pra të pamundësisë së një qytetari, për shkak të rrethanave në të cilat ka lindur apo është gjendur, për t’u ngritur nga fundi i piramidës në krye të saj, apo edhe në mesin e saj.
Përballë nesh ka një qeveri që nuk i ka mbetur më asnjë arritje, nuk kemi as punësim, as një shoqëri më të mirë dhe as një ekonomi më sociale.
Në një mandat që ka prodhuar.
– Rritje të çmimit të energjisë dhe heqje të fashës mbrojtëse që ka ndikuar në uljen e kontratave, 75% e familjarëve sot paguajnë energjinë 25% më shtrenjtë.
– Reformë e Pensioneve që solli uljen e pensionit të fshatit të cilin qeveria sot përpiqet ta kompensojë me 4,5 USD në muaj.
– Ngrirje të pagave që për pasojë ka sjellë rritjen e çmimeve në produktet më të rëndësishme të shportës.
– Rritjen e taksave që ka sjellë uljen e konkurueshmërinë me rajonin.
– Uljen e fondeve për papunësinë dhe mbështetjen sociale që ka rritur akoma më tej hendekun shoqëror dhe ka ulur mobilitetin social.
– Aksioni i dështuar i formalitetit që mbylli bizneset për të prodhuar më shumë kaos dhe 100 milionë dollarë brenda vitit më pak të ardhura në buxhetin e shtetit.
Të nderuar kolegë!
Buxheti nuk ofron rritje të mirëqenies sociale dhe ulje të hendekut por ofron më shumë varfëri dhe më pak para për të varfërit.
Buxheti është përmbyllja më e turpshme e një qeveri që mendoi dhe veproi tërësisht për veten e saj dhe bizneset e saj, duke sanksionuar lënien e qytetarëve në mëshirën e fatit.
Sa thashë më sipër, është vetëm arsyeja ekonomike e mungesës së mobilitetit social.
Nga kjo e tashme e hidhur dhe e mbushur me varfëri jo vetëm ekonomike, vendi jonë duhet të largohet. Nga kjo ekonomi jo sociale, nga kjo politikë që shkallmon gjithnjë e më poshtë të varfrit por edhe rrjep gjithnjë e më shumë ato në emër të gjoja prosperitetit social ne duhet t’i largohemi.
Vetëm alternativa e një tregu të lirë dhe me komponent social, vetëm një program i tillë, mund t’i sigurojë qytetarëve kuptimin e vërtetë të meritokracisë. Vetëm një ofertë e tillë, e bazuar në lirinë e individit për të ndërtuar të ardhmen e tij mbi aftësitë edhe cilësitë e tij.
Një alternativë që Rilindja as nuk e ka në vizionin e saj dhe të cilën e luftoi me energji përgjatë gjithë mandatit të saj.