E dashura e autorit të sulmit në Las Vegas, Marilou Danley nuk ka ditur asgjë se çfarë kishte planifikuar të bënte Stephen Paddock në hotelin “Mandalay Bay”, ku mbetën të vdekur 58 persona në një nga sulmet më të rënda me armë që ka ndodhur ndonjëherë në historinë e SHBA-së.
Danley ka dëshmuar për autoritetet se Paddock kishte qenë një partner i qetë, i dashur dhe i sjellshëm me të.
Policia mendonte se autori i sulmit kishte “një jetë sekrete”. Sipas tyre, ai mund të kishte menduar të arratisej në vend që të vriste veten, por policia nuk dha detaje të mëtejshme.
Akoma mbetet e paqartë arsyeja pse Paddock hapi zjarr në koncertin muzikor në Las Vegas.
Në një konferencë për shtyp, sherifi Joseph Lombardo tha se policia kishte gjetur eksplozivë në makinën e Paddock në hotel së bashku me 1,600 municione të tjera. Ai kishte qenë duke luajtur kumar përpara se të fillonte të godiste me armë dhe kishte prenotuar një apartament një javë më parë në një kat të lartë të një hoteli në qendër të Las Vegasit ku do të mbahej një festival tjetër dhe do të merrnin pjesë këngëtarë të njohur si Muse, Lorde dhe Blink-182.
Sipas agjentit të FBI-së Aaron Rouse, deri më tani, autori nuk ka ndonjë lidhje me terrorizmin por hetimet janë duke vazhduar dhe në këtë mënyrë ata do të shikojnë çdo provë duke shqyrtuar çdo mundësi që mund ta ketë çuar Stephen Paddock të kryente masakrën në Las Vegas.