Ka mbetur një enigmë për familjarët vdekja e 37-vjeçarit Alfred Dosku.
Familja e emigrantit shqiptarë që dyshohet se vrau veten vitin e kaluar në Britaninë e Madhe, është ende në kërkim të një përgjigjeje mbi rrethanat e vdekjes së Doskut.
37-vjeçari u gjet i vetëvarur nëntorin e vitit të kaluar, në një dhomë të qendrës për emigrantë ndërkohë që pritej deportimi i tij drejt Shqipërisë.
Mediat angleze shkruajnë se kushërira e të ndjerit, Ledisa Hysa Dosku, tha: “Duam vetëm të dimë se çfarë ka ndodhur”.
Ledisa shprehet se kushëriri i saj ishte “shumë i zgjuar”, duke shtuar se familja nuk e kuptonte se si ai përfundoi në qendrën e imigracionit.
“Bisedën e fundit e pati me vëllanë, ishte gati të kthehej. Ishte gati të bashkohej me familjen. Vdekja e tij është plotësisht e pakuptueshme”– tha ajo ndër të tjera.
Ndërkohë, një hetim për rastin po mbahet në Mbretërinë e Bashkuar dhe pritet të ketë një rezultat konkret brenda dhjetorit të këtij viti.