Në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka nisur shqyrtimi i çështjes penale për ish-efektivin e RENEA-s, Arbër Paplekaj.
Paplekaj dyshohet se është autor i vrasjes së Pjerin Xhuvanit, i cili u vra 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit në Elbasan.
Ish-efektivi i repartit RENEA është dënuar nga gjykata e Elbasanit me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese në dëm të mjekut psikiatër, por ai pretendon se krimin e kreu për vetëmbrojtje.
Në të njëjtin proces me Paplekaj po gjykohen edhe dy ish-nëndrejtorët Policisë së Elbasanit, në sytë e të cilëve ndodhi vrasja, të cilët janë dënuar me 1 vit shërbim prove për shpërdorim, si dhe 6 efektivë të forcave Shqiponja, po ashtu të dënuar me shërbim prove.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 21 prillit 2021, 4 ditë përpara zgjedhjeve parlamentare.
Mbështetësit e PD, ku bënte pjesë edhe Arbër Paplekaj, ndaluan Mehmet Grecën një të skeduar për drogë që sipas tyre po tentonte të blinte vota në favor të PS-së.
Mbështetësit e opozitës njoftuan policinë, ndërsa miqtë e Grecës u afruan më shpejtësi për t’i dhënë ndihmë. Teksa policia ndodhej në vendin e ngjarjes për të sqaruar situatën, dy grupet u konfliktuan dhe Arbër Papleka nxori armën me leje dhe qëlloi duke lënë të vrarë Xhuvanin.