Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë uruar sot 28 Nëntorin, duke nënvizuar peshën e kësaj date për kombin shqiptar.
Presidentja Osmani theksoi se kjo ditë bashkon katër ngjarje që formësojnë identitetin shqiptar: Ditën e Flamurit, Pavarësinë e Shqipërisë, lindjen e Komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së. Ajo përmendi lidhjen e pathyeshme mes historisë së Krujës, Vlorës dhe Prekazit, duke theksuar se “dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër” mbeten busulla e rrugës së përbashkët.
Ndërsa Kryeministri Kurti solli një mesazh të gjatë dhe simbolik, duke e përshkruar 28 Nëntorin si datën që ka ndjekur fatin e kombit ndër shekuj. Ai kujtoi ngritjen e flamurit në Krujë në 1443, shpalljen e pavarësisë në 1912, lindjen e Adem Jasharit në 1955 dhe daljen e UÇK-së në 1997, duke i quajtur këto “hallka të një zinxhiri të pashkëputshëm të lirisë”.
Kurti foli edhe për “Nëntorin e Tretë”, një simbol i bashkimit të ardhshëm kombëtar përmes punës dhe përkushtimit: një amanet historik që pret të përmbushet.















