Ka ndërruar jetë në sallën e operacionit në Spitalin e Durrësit, njëri nga të plagosurit në ngjarjen e mbrëmjes në Durrës, ku dy grupe personash qëlluan njëri-tjetrin jashtë një lokali.
Personi i cili ka humbur jetën është Asllan Kërtusha, 30 vjeç, mik me Denis Shtrazën, i ndaluar për vrasjen e Gazmend Çollakut, ngjarje e ndodhur në muajin janar, po në Durrës. Nga kjo ngjarje ka mbetur i plagosur rëndë edhe i riu Genti Kajno, banor i Komunës Xhafzotaj.
Sipas ndërtimit të parë të ngjarjes, përplasja ka nisur fillimisht në brendësi të lokalit, ku të rinjtë kanë debatuar me njëri-tjetrin. Më pas ata kanë dalë jashtë lokalit, i cili ndodhet pranë Drejtorisë së Ujësjellësit dhe aty kanë qëlluar mbi njëri-tjetrin.
Fillimisht i pari dyshohet se ka qëlluar shtetasi Genti Kajno kundrejt Asllan Kërtushës. Më pas një nga shoqëruesit e Kërtushës ka qëlluar Kajnon duke e lënë të plagosur rëndë.
Thuhet se Kërtusha ka qenë mik i ngushtë me Denis Shtrazën por ishte ndarë kohët e fundit nga grupi dhe shpesh njihej si një person i alkoolizuar.