Vetë Altin Dumani thotë kur t’i përfundojë mandati 9-vjeçar si prokuror i SPAK nuk do të rikandojë sërish. Por, në Komisionin e Ligjeve ku po prezantoi raportin e 2024-ës, Dumani ngriti shqetësimin e tij që prokurorëve të SPAK tu jepet mundësia e rikandidimit pas mandatit 9-vjeçar. Kjo, pasi Dumani tha se vetëm brenda një viti (2028) u përfundon mandati 11 prokurorëve të posaçëm. Dumani tha se është e pamundur që t’i zëvendësosh, aq më tepër që ata kanë çështje që po i ndjekin për vite me radhë.
Dumani tha se kjo cenon hetimet, ndërsa theksoi se nuk e kemi luksin që prokurorë që janë të trajnuar për të hetuar krime të sofistikuara, ti kalojmë në Prokurorinë e Përgjithshme.
“Në përfundim të mandatit tim nuk do rikandioj. Unë flas në emër të institucionit, të paktën 11 prokurorëve të posaçëm u mbaron mandati brenda 1 viti. Mund ta imagjinoni boshllëkun që krijohet. Vlerësoj se nuk kemi aq shumë burime njerëzore, se po të kishim s’do duhej gjithë ajo reformë, sa ti zëvendësojmë këta prokurorë, 11 prokurorë në një vit. E dyta është tjetra, këta prokurorë kanë çështje që i ndjekin me vite të tëra dhe në një moment ty bukur ti i thua mandati jot mbaroi s’ke më punë me çështjen, penohen hetimet në këtë drejtim. Shteti shqiptar, BE dhe SHBA kanë investuar në këtë trupë prokurorësh për tu rritur profesionalisht për të krijuar imunitet ndaj politikës, biznesit e krimit të organizuar dhe megjithëse është bërë gjithë ky investimin, i thuhet prokurorit të posaçëm, pa paragjykuar prokurorët e përgjithshëm. Nuk kemi luksin që një prokuror i specializuar për hetimin e një kategorie të veçantë krimesh ta çojmë në një prokurori të përgjithshme, dhe nga një krim i sofistikuar të fillojë të hetojë vjedhje të thjeshta, kanosjen, shkeljet e rregullave të qarkullimi rrugor”, tha Dumani.