Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja mënyrë për ti kthyer normalitetin vendit sipas Agron Dukës. Kreu i Partisë Agrare Ambjentaliste shkruan në Facebook se vetëm nëpërmjet zgjedhjeve mund ti rikthehet legjitimiteti pushtetit qendror dhe vendor që sipas tij tashmë janë kapur nga Partia Socialiste.
Aleati i Bashës nuk përmend si kusht për zgjedhjet e parakohshme faktin që Rama mos të jetë në postin e kryeministrit, çka është një nga kërkesat kryesore të kreut të opozitës. Megjithatë ai deklaron se kauza e tyre sa vjen e konfirmohet duke sjellë në vëmendje vendimin e DASH për ndalimin e hyrjes në SHBA të ish-kryetarit të Bashkisë Durrës Vangjush Dako pasi sipas tyre ai mund të jetë i përfshirë në raste të rënda korrupsioni.
Duka thotë se gara e drejtë elektorale dhe vota e lirë dhe e ndershme mund të prodhojnë politika në të mirë të vendit dhe shton gjithashtu se është koha që shqiptarët ‘t’i heqin vizën ‘Rilindjes’. / Opinion.al