Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lënë në fuqi masat e sigurimit të dhëna në mungesë për grupin e arrestuar në kuadër të operacionit “Coast to coast” për trafik droge nga vendet e Lindjes së Mesme.
19 prej tyre janë lënë në arrest me burg, ndërsa është lënë nën masën e sigurisë “arrest shtëpie” Sonila Sulaj. Po për këtë operacion vijon të jetë në kërkim një person tjetër.
Ndërkohë sipas tv klan.al gjatë seancës së sotme ka pasur diskutime të ashpra. Avokatët kanë kërkuar t’u vihen në dispozicion provat. Një pjesë tjetër ka kundërshtuar përgjimet e bëra nga Prokuroria e Posaçme.
Një aksion i përbashkët i autoriteteve shqiptare dhe italiane goditi një grup prej 21 personash që trafikonin lëndë narkotike nga Siria, Turqia dhe Amerika Latine drejt vendeve të BE-së, nëpërmjet vendit tonë.
Droga transportohej përmes kamionëve, në të cilët ishte përshtatur një vend ku as skaneri nuk e zbulonte. Në mesin e të ndaluarve është edhe një efektiv policie, i dyshuar për korrupsion.