Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në një çerdhe në New York. Një kilogramë drogë e llojit “fentanil” është gjetur në një tapet në një dhomë gjumi.
Në këtë çerdhe një fëmijë ndërroi jetë dhe 3 të tjerë u dërguan në spital.
1-vjeçari, Nicholas Dominici, i cili kishte nisur çerdhen një javë më parë, ndërroi jetë si pasojë e mbidozës së drogës.
“Në një kontroll në çerdhe u gjet një kilogram fentanil që u zbulua nën një tapet ku fëmijët kishin fjetur më parë”, tha shefi i detektivit të NYPD, Joseph Kenny.
Ndërkohë, 3 fëmijë të tjerë u shtruan në spital pasi u ekspozuan ndaj lëndës narkotike në qendrën e kujdesit për fëmijë në Bronx.
Policia ka ngritur dyshimet se fëmijët nga 8 muajsh deri në 2 vjeç, thithën fentanil në çerdhe. Hetuesit zbuluan gjithashtu 3 presa të përdorura për të paketuar drogë.
Në lidhje me ngjarjen e rëndë, pronari i çerdhes Divino Niño në Bronx, Grei Mendez, 36 vjeç, dhe qiramarrësi i saj, Carlisto Acevedo Brito, 41 vjeç, po përballen me akuza për posedim narkotikësh me qëllim shpërndarjen që rezulton në vdekje dhe komplot për shpërndarjen e lëndëve narkotike që rezultojnë në vdekje.