Një operacion antidrogë, i koordinuar nga Prokuroria e Katanias dhe i ekzekutuar nga agjentë të policisë dhe Guardia di Finanza ka çuar në asgjësimin e një trafiku ndërkombëtar marijuane, që vepronte nga Shqipëria në Itali.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave në kuadër të operacionit të koduar “Ballkani” nën hetim janë 61 persona, 37 shtetas shqiptarë dhe 24 italianë.
Prokuroria e Katanias ka deklaruar se ka asgjësuar tërësisht organizatën ndërkombëtare. Fation e Gentian Hoxhaj, Erson Zhuka dhe Roland Kalemaj janë, sipas autoriteteve, krerët e grupit kriminal që organizonin transportonin e drogës me kamionë nga Shqipëria drejt Siçilisë.
Gjatë hetimeve, të nisura në vitin 2012, janë kryer në qytete të ndryshme italiane aksione të shumta të forcave të rendit.
Më i rëndësishmi ka qenë ai i kryer nga policia e Raguzës dhe Guardia di Finanza e Komos, që çoi në sekuestrimin e 1 ton marijuanë dhe disa armëve të zjarrit të përdorura nga poseduesit për mbrojtjen e drogës.
Hetuesit italianë deklarojnë gjithashtu se disa persona që janë në kërkim ndodhen në Shqipëri.