Dhimitër Poti është cilësuar nga policia greke si personi kyç në organizimin e trafikut në Europën Perëndimore, pjesë përbërëse e grupit të Klemend Balilit.
Dhimitër Poti rezulton të ketë dy vendlindje të ndryshme dhe dy vendbanime të ndryshme në Shqipëri.
Siç duken dhe nga dokumentat e siguruara nga Televizioni Klan, Dhimitër Poti, i datëlindjes 15/06/1966, fillimisht del se ka lindur në Kukës dhe banues në Kukës.
Në dokumentin e dytë, rezulton se i njëjti shtetas, me të njëjtat gjeneralitete, ka lindur në Sarandë dhe është banues në Domje.
Policia greke, bullgare e austriake identifikuan një numër të konsiderueshëm kompanish, të cilat zyrtarisht merreshin me transport, por që në thelb kishin aktivitet të paktë.
Sipas policisë greke, 50 – vjeçari ka vendbanim të përhershëm në Belgjikë, ku disponon një magazinë. Pikërisht ky qe destinacioni i ngarkesave me drogën shqiptare, para se ajo të shpërndahej në vende të tjera.
Dhimitër Poti figuron në Regjistrin Kombëtar të Bizneseve se është pronar i kompanisë “CHIM PROD”, e themeluar në vitin 2008, e cila merret me import – eksport, tregti me shumicë e pakicë për artikuj të ndryshëm, mjeteve motorike, barnave farmaceutike.
Nga të dhënat rezulton se, kjo kompani nuk ka patur pothuajse fare aktivitet ndërsa statusi aktual është “Në likujdim e sipër”.
Në Nëntor të vitit 2015, Dhimitër Poti u hetua nga Prokuroria lidhur me 5 transaksione të dyshimta, nga Greqia në llogaritë bankare të kompanisë “Chim Prod”.
Këto transferta shkonin në vlerën e 826 mijë eurove. Një pjesë e kësaj shume u sekuestrua me urdhër të Prokurorisë.
Tv Klan