Kryesuesja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), Genoveva Ruiz Calavera, i është drejtuar me një letër, siç thotë ajo, të gjithë atyre që kanë shprehur shqetësim për rolin e Bordit Menaxhues të këtij misioni, që do të monitorojë procesin e rivlerësimit(vettingut) te anëtarëve të sistemit gjyqësor shqiptar. Ata që kanë shprehur shqetësim janë ministrat e LSI, Petrit Vasili dhe Klajda Gjosha.
Bordi drejtues i ONM-së, thuhet në letër, ka natyrë të qartë administrative dhe ai synon të lehtësojë punën e përbashkët të KE-së dhe të qeverisë së SHBA-së. Të gjitha vendimet ekzekutive i përkasin institucioneve në Shqipëri, citohet letra, që mban datën 27 shkurt 2017.
Më poshtë vijon letra e kreut të ONM-së, Calavera:
Bordi Qeverisës i ONM-së ka një natyrë tërësisht administrative. Detyrat e tij mund të krahasohen me ato të një Njësie për Menaxhimin e Projekteve, kanë për qëllim të lehtësojnë punën e përbashkët të Komisionit Europian dhe Qeverisë Amerikane.
Të gjitha rekomandimet lidhur me përzgjedhjen aktuale të kandidatëve për formimin e organeve të vettingut dhe të ardhmen e vettingut, do të kryhen nga vëzhgues ndërkombëtarë që janë ose do të emerohen nga ONM.
ONM është një veprimtari jo-ekzekutive, qëllimi i vetëm i së cilës është monitorimi dhe sigurimi i rekomandimeve përgjatë procesit të vettingut. Të gjitha vendimet ekzekutive i përkasin institucioneve të Shqipërisë.
Për të lehtësuar komunikimin dhe për të shmangur ngatërrimet, do t’i referohem vetëm ONM-së në shkëmbimet e ardhshme zyrtare, thuhet në letrën e Genoveva Ruiz Calaveras.