Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë ka vijuar aksionin për formalizimin dhe rritjen e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Drejtoria e Tatimeve njofton se për 3 ditë janë bllokuar 20 ton mallra (produkte bujqësore apo blegtorale) për 87 subjekte të inspektuara në total.
“Vazhdon me intensitet aksioni për formalizimin dhe përmirësimin e sigurisë ushqimore në tregun e produkteve bujqësore dhe blegtorale, nga strukturat e Administratës Tatimore dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Rezultatet e 3 ditëve të para tregojnë qartë nevojën për formalizimin e plotë të këtij sektori, si një garanci për cilësinë, sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Ftojmë të gjithë tatimpaguesit të zbatojnë ligjin duke lëshuar faturë fiskale në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, për të siguruar gjurmueshmëri dhe transparencë nga prodhuesi te konsumatori”, njofton Drejtoria e Tatimeve.