TIRANE- Partia Demokratike akuzon administratorin e OSHEE, Ardian Cela se ka mashtruar me shifrat. Në një dalje për mediat, Grida Duma tha se “bleta punëtore e Edi Ramës, Ardian Cela, është në fakt një brumbull mashtrues”.
“Shkresat zyrtare hedhin poshtë gënjeshtrat e kapobandës së OSHEE për të ardhurat në vitin e kaluar, të cilat nuk janë 59.4 miliardë lekë sa thotë bleta e Ramës, por janë 54.2 miliardë. Ky është një mashtrim i përsëritur”, tha Duma, ndërsa shtoi se “edhe një vit më parë, është mashtruar me rritjen e të ardhurave, duke i deklaruar 16.5 miliardë lekë, kur në fakt ishin më pak se gjysma, 7 miliardë lekë”.
Sipas saj, gënjeshtrat me miliarda lekë janë provë e vjedhjeve, e hajdutërisë, e korrupsionit, janë një përpjekje mjerane për të ushqyer propagandën e sukseseve të paqena të Edi Ramës.
“Ky mashtrim bëhet nga OSHEE, nga banda e Edi Ramës që u merr jetën të pamundurve, me arrogance e me kërbaç, që shpërndan në mënyrë korruptive e klienteliste qindra milionë euro, paratë e gjakut të shqiptarëve, në xhepat e deputetëve e carapulëve të Edi Ramës”, tha Grida Duma nga selia e PD-së.