Në konferencën e përjavshme me gazetarët ish-kryeministri, Sali Berisha, është shprehur kategorikisht kundër idesë së disa deputetëve demokratë për drejtimin e PD nga një grup kolegjial.
Këtë ide që sipas Berishës për herë të parë e ka hedhur ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ish-kryeministri e cilëson shkatërrimtare për opozitën.
“Idenë e drejtimit kolegjial e ka dhënë për herë të parë guvernatorja Yuri Kim. Idetë e saj i konsideroj shkatërrimtare për opozitën. Unë di që drejtimi i forcës politike dhe çdo force politike buron nga gara e hapur dhe e ndershme, për të cilën nuk kam asnjë rezervë. Drejtimi kolegjial është vetëm një shkatërrim i një opozite. Gjithçka zhvillohet nga viti 2017 gjer më sot është skenari i shkatërrimi i opozitës por të shkatërruar kombin shqiptar. Nuk ka filluar ky shkatërrim me shpalljen non-grata të Berishës, ka filluar me kontraktimin e McGonigal, njeriut më të fuqishëm të kundërzbulimit në SHBA dhe ka vazhduar me angazhimin e McGonigalit me fustan. Kjo parti e provoi veten në këto zgjedhje, duke ia zhdukur emrin, kryetarin e koalicionit, duke ia zhdukur komisionerët, mblodhi mbi gjysmë milionë idealistë”, tha Berisha.
Më tej, gjatë fjalës së tij, Berisha theksoi se ishin Primaret ato që e shpëtuan PD.
“Çfarë e shpëtoi PD-në? Primaret e shpëtuan atë. Ndaj dhe përshëndes të gjithë ata deputetë të cilët mbështetën kandidatët e primareve, u ngritën mbi presionit primitive të Basha-Bravës dhe Edi Ramës dhe mbështetën kandidatët e primareve. Kjo bën një bazë për bashkimin e forcave demokratike, përveç dy pengjeve për të cilët nuk ia vlen të flasësh më për ta”, deklaroi ish kryeministri.