Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka parë nga afër ritmet e punimeve në lotin 7 dhe garantoi se Unaza e Madhe e Tiranës do të hapet ne fund të këtij viti.
Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në këtë kantier.
“Ky proces është relativisht i shpejtë, nuk do na marrë shumë kohë për përfundimin e të gjithë shtresave asfaltike, ndërkohë po vijojmë dhe me elementët e tjerë si vendosja e barrierave anti zhurmë në këtë seksion rrugor”, sqaroi kreu i ARRSH.
Zëvendëskryeministrja Balluku theksoi se ritmi i punimeve, në lotin 7, por edhe lotet e tjera është i lartë për të garantuar që Unaza e Madhe e Tiranës të jetë e aksesueshme për automjeteve në fund të këtij viti.
“Rëndësi ka që të gjitha lotet të jenë të gatshme për akses të automjeteve, duke pasur të përfunduar edhe pjesën e sinjalistikës, edhe pjesën e barrierave të zhurmës dhe gjithçka tjetër e cila është e domosdoshme. Padyshim do të ngelen detaje të vogla të cilat ne do të vazhdojmë që ti plotësojmë, por e gjithë kjo pjesa e paketës së madhe duhet të jetë e përfunduar për datën 31 dhjetor që gjithë kjo unazë tashmë të lidhet, duke pasur parasysh që kemi pasur një progres të mirë edhe në pjesën e “Pallatit me Shigjeta”, aty ku janë nyjet lidhëse dhe ajo është një nga nyjet më të rëndësishme”, nënvizoi Balluku.