Dr. Anthony Fauci, ish-eksperti i lartë i sëmundjeve infektive në SHBA, qëndroi i shtruar për një javë në spital, pasi u infektua me virusin e Nilit Perëndimor. Aktualisht ai ndodhet në shtëpi, ku po merr veten, konfirmoi një zëdhënës të shtunën, që foli në kushte anonimiteti.
Fauci pritet të shërohet plotësisht shtoi ai. Virusi i Nilit Perëndimor zakonisht përhapet përmes pickimit nga një mushkonjë e infektuar. Ndërsa shumica e njerëzve nuk përjetojnë simptoma, rreth 1 në 5 vetë mund të preken nga ethet, dhimbje të kokës, trupit, të vjella, diarre ose skuqje, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Mes 1 në 150 persona të infektuar sëmundja shfaqet me simptoma serioze, ndonjëherë fatale.
Korrespondenti kryesor për mjekësinë i rrjetit televiziv ‘CBS News’, Dr. Jonathan LaPook, shkruante në një postim në mediat sociale se ai kishte folur të shtunën me zotin Fauci, i cili i kishte thënë se kishte të ngjarë të ishte infektuar në oborrin e shtëpisë së tij, nga pickimi i ndonjë mushkonje.
“Dr. Fauci u shtrua në spital rreth dhjetë ditë më parë me ethe, të dridhura dhe lodhje të rëndë”, thuhej në postimin e gazetarit në X. Aty thuhej se zoti Fauci kishte qëndruar një javë në spital.
Për të parandaluar virusin e Nilin Perëndimor nuk ka vaksinë apo dhe ilaçe për ta trajtuar atë. Për këtë vit që nga 20 gushti, Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve ka regjistruar 216 raste në 33 shtete. Mënyra më e më mirë për ta parandaluar visurin është të shmanget pickimi nga mushkonjat.
Si këshilltari kryesor për shëndetësinë i Shtëpisë së Bardhë, zoti Fauci ishte fytyra publike e qeverisë gjatë pandemisë së COVID-19, një rol që e bëri atë një zë të besueshëm për miliona njerëz, po gjithashtu dhe objektiv të sulmeve politike.
Ai u largua nga qeveria në vitin 2022, por në qershor u thirr përpara Kongresit për të dëshmuar si pjesë e hetimit shumëvjeçar të republikanëve mbi origjinën e COVID-19 dhe reagimin amerikan ndaj sëmundjes./ VOA