Presidenti i SHBA, Donald Trump ka mbajtur ditën e sotme një konferencë për mediat në Shtëpinë e Bardhë lidhur me tragjedinë, ku një helikopter ushtarak goditi në ajër një avion pasagjerësh gjatë uljes nga aeroporti Regan në Uashington.
Gjatë fjalës së tij, Trump u shpreh se Amerika është në zi, teksa shton se në aeroplan kishte edhe shtetas rusë.
Ai ka përshëndetur operacionin e kërkim-shpëtimit në të gjitha nivelet dhe thotë se misioni tani është ai i rimëkëmbjes pasi nuk ka të mbijetuar.
“Ne vetëm mund të fillojmë të imagjinojmë agoninë që po ndjeni të gjithë. Zemrat tona janë copëtuar”, është shprehur Trump.
Ai thotë se ka ide dhe teori për atë që ka ndodhur, megjithëse ka pranuar se hetimi është ende në fillimet e tij.
Më tej, Trump u shpreh se nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar këtë përplasje, por shtoi se një hetim gjithëpërfshirës në lidhje me ngjarjen do të kryhet.
“Ne do të zbulojmë se si ndodhi kjo fatkeqësi dhe do të sigurojmë që asgjë e tillë të mos ndodhë më. Administrata Federale e Aviacionit, Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit dhe ushtria amerikane do të kryejnë një hetim gjithëpërfshirës. Ne do të punojmë pa u lodhru për të kuptuar atë se çfarë ka ndodhur”, deklaroi Presidenti i SHBA.
Sipas Presidentit, avioni po kryente të gjitha veprimet në rregull, por shton se helikopteri që kishte shkuar në një kënd që ishte jashtëzakonisht i keq.
Trump tregon një nga urdhrat ekzekutivë që nënshkroi me marrjen e detyrës javën e kaluar, për të cilin thotë se rikthehen standardet për kontrollorët e trafikut ajror dhe të tjerë.