Alehandro Kastrioti, një pinjoll i familjes së Kastriotëve kishte patur rastin të takohej në Paris, me një nga figurat e njohura intelektuale të kohës, pikërisht Eqrem Bej Vlorën. Në librin e tij “Kujtime 1885-1923”, Eqrem Bej Vlora, kujton këtë moment:
“Një javë pas kthimit tim në Vlorë çova Murat bej Toptanin dhe Hydai efendinë (nipin e babait tonë të teqesë në Janinë), duke iu lutur të më kthenin flamurin që u pajta huajtur. Më pranuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo zonja Marigo Pozio (një atdhetare e madhe demokrate, por që i pëlqente reklama) ta kishte qepur e qendisur flamurin e ri. E pra, në 28 nëntor kryeobjekti i ditës, flamuri si simbol i pavarësisë, me atë pakujdesi tipike shqiptaro-lindore, ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte se si ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im, Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe pyeti a mund të merrej pa qenë aty i zoti. Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri, që dikur don Aleandro Kastrioti ma kish dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte pranë, në dritare”.
A ishte ky flamuri që u ngrit në Vlorë në vitin 1912? Kjo është ende e paqartë, megjithatë ajo që mbetet është raporti mes Eqrem bej Vlorës dhe pinjollit të Kastriotëve, të cilit ai i lë këtë dedikim:
Lartësisë së tij, princit Don Juan Kastriota
Vlerësime me respekt
Eqerem Bej Vlora