Vajza 23vjecare që u arrestua e akuzuar se u vuri flakën 4 makinave të babait të të dashurit të saj, mesnatën e mbrëmshme, nuk e ka mohuar veprimin në polici.
Ajo ka dëshmuar, pas ndalimit, se ka qenë ajo që i ka vënë flakën automjeteve, të cilat më pas edhe u shkrumbuan plotësisht. Burime për “Panorama Online” bëjnë me dije se vajza ka qenë në lidhje dashurie më djalin e pronarit të automjeteve, por që janë ndarë vetëm një javë më parë. “Për ndarjen tonë ka ndikuar nëna e ish të dashurit” ka thënë Desara Mançellari në polici, duke shtuar se ishte pikërisht nëna e tij që nuk e pëlqente atë. Vajza u kap nga kamerat e sigurisë në momentin që i kishte spërkatur makinat me benzinë dhe më pas u vuri flakën, duket në shenjë hakmarrjeje.