Policia ka arrestuar një 32-vjeçar, pasi gjatë muajit shkurt 2025, dogji një automjet, tentoi të digjte një automjet tjetër dhe vodhi një monopatinë.
Mësohet se 32-vjeçari ka precedent të theksuar kriminal në fushën e vjedhjes dhe fushën e narkotikëve.
Gjatë kontrolleve, policia ka sekuestruar 2 maska, 2 jelekë multifunksionalë si ato të Policisë dhe 1 shkop bejsbolli, që i posedonte ky shtetas në banesë.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në kuadër të operacionit “Feedback”, për zbardhjen e djegies së një automjeti, kanë identifikuar, kapur dhe vënë në pranga shtetasin:
I. Gj., 32 vjeç, banues në Paskuqan.
Nga veprimet hetimore të kryera në kuadër të operacionit dyshohet se ky shtetas:
-më datë 09.02.2025, në Babrru, ka djegur automjetin e shtetasit A. M.;
-më datë 04.02.2025, në Babrru, ka tentuar të djegë automjetin e shtetasit A. H;
-më datë 02.02.2025, në Kamëz, ka vjedhur një monopatinë.
Vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi”, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./Opinion.al