Pas lajmit se në zonën e Kamzës, digjen në mënyrë skandaloze pa asnjë masë sigurie mbetjet e ndryshme, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve që jetojnë aty, ka ardhur edhe reagimi i tyre. Mësohet se këta të fundit kanë paralajmëruar bllokimin e rrugës nacionale, nëse nuk meren masa për ndalimin e kësaj situate. Gazi i lëshuar nga mbetjet ka bërë të pamundur jetesën. Ndotje edhe nga mbetjet që hidhen në lum.
“Do bllokojmë rrugën nacionale sepse bashkia është njoftuar disa herë, por djegia këtu vazhdon përsëri. Ndaj ne do bllokojmë rrugën nacionale që të merren masa dhe të mos hidhen më mbeturina këtu. Iniciativa dhe mendimi ynë është të bllokojmë rrugën kryesore”, u shprehën banorët.
Nga mbetje urbane, spitalore e deri kafshë të ngordhura janë hedhur përgjatë lumit të Tërkuzës.
Organizata mjedisore dhe shoqata që mbrojnë të drejtat e njeriut, i janë bashkuar kësaj proteste së bashku me qytetarët. Pjesë e tyre ka qenë edhe Sazan Guri, i cili shprehet se situata është alarmante.
“Kjo duhet të shuhet me zjarrfikës, duhet të mbulohet me dhe, duhet të rrethohet, duhet të mbyllet dhe rehabilitohet përfundimisht. Në asnjë rast nuk duhet të ketë më mbetje që hidhen dhe shkaktojnë këtë dëm”, u shpreh ambjentalisti Sazan Guri.