Dy vëllezër janë identifikuar nga Policia e Devollit , si autorë të dyshuar të djegies së një makine në Bilisht një natë më parë. Në pranga ka përfunduar Durim Stafa, 35 vjeç, si dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, Resmi Stafa, 40 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.
“Nga veprimet hetimore dhe nga provat e grumbulluara rezultoi se këta shtetas i kanë vënë zjarrin automjetit tip “Audi A4”, në pronësi të shtetasit M. B., 34 vjeç, banues në Bilisht dhe për pasojë, automjeti është djegur plotësisht. Vijon puna për vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë ngjarje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme”, tha policia.
Pronari i makinës së djegur, Marsel Buçi, akuzonte për djegien e mjetit Deizi Arapin, e cila nga ana e saj ka përmendur emrin e tij kur edhe asaj iu dogj makina.
Në shtator, Arapit iu dogj për herë të dytë makina në derën e shtëpisë së saj në Devoll, ndërkohë që ajo kërkoi ndihmën e policisë për ngjarjen duke drejtuar gishtin te ish-kryebashkiaku Bledion Nallbati (aktualisht deputet), si urdhërues i kërcënimeve ndaj saj për shkak të një konflikti të vjetër.