Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi u paraqit përsëri sot në Prokurorinë Speciale në Hagë për të vazhduar seancën e marrjes në pyetje.
Para hyrjes në Prokurori, Thaçi nuk dha asnjë deklaratë para mediave. Deri më tani është e paqartë se si po vijon ky proces, pasi as nga prokuroria nuk ka asnjë reagim për këtë çështje.
Ditën e parë të paraqitjes, Thaçi tha se ishte diskutuar për çështje teknike dhe prokurorët e kishin pyetur për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Aktakuza është tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka kohë deri më 24 Tetor të vendosë hapjen e një procesi gjyqësor për akuzat për krime lufte ose refuzimin e akuzave. Thaçi ka paralajmëruar dorëheqje si president, nëse gjykatësit i konfirmojnë akuzat./ Opinion.al