Mijëra besimtarë të besimeve të ndryshme kanë marrë pjesë në pelegrinazhin e përvitshëm në kishën e Shën Ndout në Laç, mbrëmjen e 12-qershorit dhe gjatë ditës së sotme për të kremtuar festën e Shna Ndout.
Një pjesë e madhe e besimtarëve e kanë kaluar natën në këtë vend të shenjtë, duke pritur ditën e 13-qershorit, për t’u lutur për të gjetur shpëtim, ndihmë prej Shënjtit, ndihmë prej Zotit. Me qirinj në duar dhe lutje të ndryshme besimtarët kane përshkruar në këmbë rrugën nga qyteti i Laçit drejt malit ku ndodhet kisha.
Sot është 13 Qershori dhe kjo datë lidhet me një objekt dhe kult fetar që sensibilizon shpirtrat njerëzorë. Është një vend pelegrinazhi në kishën e Laçit, që quhet Kisha e Shna Nout (shën Andonit, Antonios),sipas dialekteve.
Me mijëra njerëz nga të gjitha qytetet e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e vendeve të tjera, si dhe shqiptarëve në emigrim, vijnë të marrin pjesë në këtë pelegrinazh, duke shpresuar se ndezja e një qiriri, lutja në shpellën e shenjtit, rrotullimi tre herë rreth kishës, apo fjetja një natë pranë saj, do t’u përcjellë një copëz të shenjtërisë.
Madje disa prej tyre marrin me vete edhe një grusht dhe, ose gurë të vegjël nga pjesa e jashtme e shpellës.
Mirëpo, ajo që prej kohësh ka nisur të trazojë mendjet e besimtarëve shqiptar, është fakti se si ka mundësi që ditë të tilla aq të shënuara, në të shumtën e rasteve mbajnë me mot të keq ose shumë të keq.
Shumë njerëz e lidhin këtë me fuqinë e ekzistencës së Zotit, shumë të tjerë, me shkencën por realisht kur kalendari shënon 12 qershor, filimi i stinës së verës, pak kush nga ata që kanë zgjedhur të kalojnë natën në kishën e Shën Ndout, beson se kështu janë punët e natyrës.